Vdes profesori i njohur i muzikës (Foto)
Mbrëmë në Shtetet e Bashkuara te Amerikës (SHBA), është ndarë nga jeta artisti, profesori dhe akademiku i muzikës, Xhevdet Bakraqi.
“Me vdekjen e Xhevdet Bakraqit, vdiq edhe një copëz e Pejës”, është shkruar në mes tjerash në faqen e Facebook-ut të SHKA ‘Sofra Pejane’.
Për vdekjen e Bakraqit ka reaguar edhe miku shumëvjeçar i tij, këngëtari i mirënjohur, Ramadan Krasniqi – Dani, i cili ka thënë në profilin e tij në Facebook, se “iku edhe një kolos i pazëvendësueshëm i muzikës pejane”.
Profesorin Bakraqi e ka kujtuar me dhembje edhe ish-nxënësi i tij, klarinetisti i njohur nga Peja, Sead Muqa – Sei.
Xhevdet Bakraqi, ka shërbyer si drejtor i Shkollës së Muzikës në Pejë dhe si udhëheqës i SHKA-ve të ndryshme të qytetit në vitet e okupimit, duke qëndruar i palëkundur në organizimin e sistemit paralel arsimor.
Ndryshe, Bakraqi akademinë muzikore e kishte kryer në Sarajevë dhe ishte ndër kuadrot e njohura të Pejës dhe Kosovës në vitet 80-të.
Ceremonia lamtumirëse për të ndjerin Xhevdet Bakraqi pritet të zhvillohet në SHBA ku edhe ka jetuar në vitet e fundit të jetës.
Vëllai i Xhevdetit, Xhelal Bakraqi, është njëri nga tenorët më të njohur shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Suedi tash e disa vite./Telegrafi/