Vdes poeti i njohur rus, Yevgeny Yevtushenko
Miku i ngushtë i poetit, Mikhail Morgulis, i ka thënë agjencisë TASS më 1 prill se “pesë minuta më parë, Yevgeny Aleksandrovich ka ndërruar jetë”.
Yevtushenko ishte dërguar në spital gjatë 31 marsit. Gruaja e tij, Maria Novikova dhe dy djemtë e tyre, Dmitry dhe Yevgeny, raportohet se kanë qenë pranë poetit kur ai ka ndërruar jetë, transmeton rel.
Për vdekjen e Yevtushenkos, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur ngushëllimet e tij.
“Yevtushenko ka qenë një poet i madh dhe trashëgimia e tij është pjesë e kulturës ruse”, ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
I lindur në Siberi më 1932, Yevtushenko ka publikuar përmbledhjen e parë poetike më 1952. Po atë vit, në moshën 20-vjeçare, ai u bë anëtari më i ri i Unionit të Shkrimtarëve sovjetikë.
Sipas mediave ruse, poeti i ndjerë kishte shprehur dëshirën që të varrosej në Peredeliko, në periferi të Moskës, ku prehen komuniteti i shkrimtarëve. Ai thuhet se ka shprehur dëshirën që të varroset pranë laureatit të Çmimit Nobel, Boris Pasternak.