Vdes në fushë, kush është Raphael Dwmaena

Vdes në fushë, kush është Raphael Dwmaena

“Vetëm dikush mund të më thotë që ka ardhur koha të ndalem, Zoti”. Ishin këto fjalët e Raphael Dwamena-s në momentin kur u zbulua se ai kishte probleme në zemër disa kohë më parë.

I lindur në Nkawkaw, Ganë, Raphael Dwamena luajti dhe u stërvit me programin zhvillimor Red Bull Gana.

Në Turneun Ndërkombëtar në Croix, Francë, në vitin 2013, ai ndihmoi ekipin RB Ghana U17 për të fituar medaljen e argjendtë dhe u emërua “Lojtari më i Mirë” i turneut.

Para se të kthehej në Ganë, Dwamena fillimisht udhëtoi në Austri për një provë njëjavore me FC Red Bull Salzburg.

Ai iu bashkua ekipit të të rinjve të Salzburg-ut në janar 2014, dhe menjëherë pati një ndikim në skuadrën U18. Në një turne në qershor të atij viti, ganezi shënoi shtatë gola në katër ndeshje. Edhe pse Salzburg-u përfundoi në vendin e tretë, ai fitoi Këpucën e Artë.

Në korrik 2014, Dwamena kaloi te Liefering ku bëri dhe debutimin në moshën 18-vjeçare në Ligën e Parë austriake (e dyta nga rëndësia). Në sezonin pasardhës 2015-16, ai do të shënonte edhe golin e parë si lojtar profesionist, më 18 shtator.

Në verën e vitit 2016, Dwamena kaloi te klubi tjetër austriak, Austria Lustenau për shifrën e 600 mijë eurove. Aty realizoi 18 gola në 20 ndeshje, para se ajo performancë t’i siguronte një kalim te Zurich-u zviceran, më 27 janar 2017.

Ndikimi i tij në klubin e ri ishte i dukshëm dhe i menjëhershëm. Më 12 gola në 18 ndeshje, ganezi ndihmoi Zurich-un të siguronte titullin e ligës dhe promovimin në Super League-n e Zvicrës. Dhe, në ligën më të lartë zvicerane, ai realizoi dy gola në debutim kundër Grassshoppers.

Në gushtin e vitit 2017, 28-vjeçari ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës për të kaluar në Premier League-n angleze. Skuadra e Brighton kishte rënë dakord me Zurich-un për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjeksore treguan probleme në zemrën e tij. Keshtu, ai mbeti te Zurich.

Ndonëse, ekzaminimet mjeksore te Brighton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, pasi këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për kartonin e tij.

Me Levante-n në La Liga, Dwamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime. Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon.

Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjeksore, mjeket i sugjeruan Dwamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli.

Ai, megjithatë, vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.

Pas kësaj, karriera e ganezit do të vijonte në Danimarkë, ku nënshkroi për Vejle-n. Pasi debutoi me gol në 2020, ai luajti edhe katër ndeshje të tjera, përpara se mjekët ta ndalonin të luante për shkak të problemeve në zemër.

Për shkak të gjendjes së zemrës dhe disa matjeve shqetësuese, Vejle konfirmoi më 26 tetor 2020, se Dwamena nuk mund të luante për një periudhë. Më vonë, në nëntor 2020, drejtori sportiv i Vejle-s deklaroi se Dwamena kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin.

Pavarësisht shqetësimit të mjekve, ganezi nuk hoqi dorë nga futbolli. Ai u rikthye në Austri duke nënshkruar me Blau-Weiss Linz më 25 qershor 2021. Megjithatë, dy muaj më vonë, Dwamena do të pësonte tronditjen e parë të vërtetë. Ai u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje të Kupës së Austrisë kundër TSV Hartberg dhe u shtrua në spital më pas.

“Zoti gjithmonë ka menduar mirë me mua”, tha Dwamena asokohe, duke shpjeguar se ngjarja erdhi si pasojë e goditjes që i dha defibrilatori. Edhe mjekët më pas konfirmuan se goditje të tilla nuk ishin të rrezikshme për jetën e lojtarit, ndonëse më e mira do të ishte që ai të mos luante futboll sërish.

Por, dashuria dhe pasioni i tij për futbollin bënë që të mos hiqte dorë nga ky sport. Në janarin e vitit 2023, Dwamena nënshkroi për një klub të vogël zviceran të kategorisë së pestë, BSC Old Boys. Atje ai realizoi tetë gola në 11 paraqitje, përpara se të mbërrinte në Shqipëri.

Shqipëria i solli lulezimin karrierës së ganezit, një karrierë që në kushte normale mund të ishte duke vijuar në elitën e futbollit botëror tashmë, siç është Premier League.

Në sezonin e tij të parë në Shqipëri, ai realizoi 11 gola dhe shtatë asistime në 18 paraqitje në Superiore, si dhe një gol dhe dy asistime në gjashtë ndeshje në Kupë.

Këtë sezon ai ishte golashënuesi i Superiores, por fati nuk deshi që ai në duart e tij të kishte një trofe i tillë.

VIDEO

Shpërndaje në: