Vdes i mituri që u plagos nga polici në Istog
Ka ndërruar jetë i mituri G.K. i cili u plagos aksidentalisht nga zyrtari policor Fatjon Hoti më 16 korrik në Istog.
16-vjeçari vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej që nga dita e plagosjes pas plagëva të rënda që i mori nga arma e zjarrit.
Lajmin për vdekjen e tij për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni”, tha Nikçi.
Po atë ditë, zyrtari policor Fatjon Hoti ishte arrestuar dhe suspenduar nga detyra.
Inspektorati Policor i Kosovës ishte deklaruar për rastin.
“Sot (16.07.2024) pas mesnatës IPK ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar”.