Vdes Albanologu Dr. Mehmet Rukiqi
Sot ka vdekur albanologu Dr. Mehmet Rukiqi.
Ai ishte Doktor i letërsisë popullore, veteran i arsimit, bashkëpunëtor i jashtëm i Insitutit Albanologjik dhe pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Rukiqi është lindur në fshatin Verboc të Drenasit, skollën fillore e kreu në Tërstenik ndërsa gjimnazin në Drenas dhe Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik në Prishtinë.
Dr. Mehmet Rukiqi rreth 20 vite punoi në arsim. Ishte mësues dhe mësimdhënës në disa shkolla në Drenicë, kurse nga viti shkollor 1972/73 u punësua në Shkollën teknike “19 Nëntori” në Prishtinë, por u përjashtua nga puna për arsye politike.
Në vitin 1984, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe mbrojti tezën e magjistraturës me titull “Anekdota gojore shqiptare” kurse në vitin 1994 mbrojti tezën e doktoraturës me titull “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”. Në folkloristikën kombëtare konsiderohet si njëri ndër nxënësit, studentët më të zellshëm të Profesorit Anton Çetta. Me Profesorin Anton Çetta, bashkëveproi ngushtë në njërën ndër lëvizjet me të rëndësishme në historinë e vendit tonë, Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve
Nga folklori i mbledhur në Drenicë dhe në vendet tjera në Kosovë, ka botuar tetë vëllime me anekdota: “Anekdota popullore” dhe dy vëllime me “Këngë dasme” Ka botuar edhe veprat studimore *Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë, si dhe monografitë, “Tahir Berisha” (2008), “Azem Galica” (2013) dhe Ramadan Shabani (2021)
Ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në varrezat e fshatit Verboc në Drenas.