Vdekja tragjike e 26-vjeçarit në Prizren: Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve, Enes Ay dhe Hajrullah Brcanin, të ndaluar për rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit, Auron Thaqi.
Enes Ay është dërguar në paraburgim për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi), ndërsa i dyshuari tjetër për veprat penale, mosdhënia e ndihmës (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi të rrezikuar) dhe veprën penale moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre.
Nga Gjykata kanë bërë të ditur se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“I pandehuri: E.A., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës (femurit) së djathtë të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e marra pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara.”
Kurse “I pandehuri: H.B., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:55, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij të markës ‘……….. me targa të regjistrit: ……….., duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me anë të mjetit të rrezikshëm nga i pandehuri E.A:, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes ‘’Ortakoll’’, ku si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara viktima A.Th., ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë.
Me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor dhe nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, si dhe për emrin e kryesit të veprës penale, megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të veprës penale. “
Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit duke vlerësuar se Enes Ay nuk është shtetas i Kosovës dhe pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe prezenca para institucioneve të drejtësisë është siguruar përmes Policisë pas hetimeve të ndërmarra.
Ndërsa për të dyshuarin tjetër, Gjykata ka marrë parasysh faktin se i njëjti ka qëndruar i heshtur, e po ashtu pasi i njëjti rezulton kryerës i shumë veprave penale të natyrës së ngjashme.