Vdekja e 12-vjeçarit te Pediatria, rrëfimi prekës i motrës: Mjekët e neglizhuan, dua drejtësi!

Vdekja e 12-vjeçarit te Pediatria, rrëfimi prekës i motrës: Mjekët e neglizhuan, dua drejtësi!

“Dua drejtësi për vëllain tim”, kështu është shprehur mes lotësh motra e 12 vjeçarit nga Maliqi i cili ndërroi jetë orët e para të 8 Janarit 2025, në spitalin Pediatrik të Tiranës. Anastasia Sadiku ka rrëfyer këtë të Enjte në “Opinion” se e humbi vëllanë e saj “prej neglizhencës totale të mjekëve për simptomat e tij”.

E reja thotë se mjekët në Shqipëri pretenduan se i mituri kishte virozë, ndërkohë që bluzat e bardha në Greqi, Itali e Gjermani kanë konfirmuar se bëhej fjalë për “infeksion bakterial”. Sipas Anastasias, Leo nuk kishte pasur asnjëherë më parë probleme me shëndetin e se madje luante futboll, ëndërr që fatkeqësisht iu pre në mes.

-Në çfarë rrethanash ka ndodhur?

Anastasia Sadiku: Në datën 28 Dhjetor, Leo kishte ndeshje futbolli sepse luante futboll. Në darkë, tha nesër nuk fitojmë se ata janë ekip i fortë dhe kur u kthye ishte gëzuar shumë se kishte bërë dy gola. Për ironi të fatit ishin golat e tij të fundit, sepse ëndrra e tij u la përgjysmë. Në mbrëmje, në datë 28 ndihet keq, ankohej për dhimbje barku, qëndroi në shtëpi me idenë që mos është ftohur, mami thotë shkojmë në spital mos ka konsumuar diçka dhe e ka helmuar. Shkojnë në Urgjencën Pediatrike në Korçë dhe mjeku thotë janë shenja viroze, asgjë shqetësuese. I jep medikamentet dhe i përcjell për në shtëpi. Thotë nëse ka të vjella, do e risjellësh. Gjatë natës ka qenë mirë. Në datën 29 në mëngjes po ankohej përsëri dhe pati të vjella. Shkojnë në spital, një mjek tjetër vendos që ta shtrojë. Gjendja deri në 31, ishte diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. Në 29 i kanë bërë analiza gjaku dhe urinë, asnjë ekzaminim tjetër.

Anastasia Sadiku: Kartela ka shkuar edhe në mjekë jashtë vendit, nga rezultatet ai kishte infeksion bakterial. Jo virozë! Kemi çuar kartelën në Greqi, Itali dhe Gjermani. Në datë 31 ishte në spital vëllai. Tha është nata e vitit të ri, po qante, dua të ndez fishekzjarret tha. Mami i thotë që do qëndrojmë këtu nëse s’jemi mirë. Futet mjeku dhe i thotë që s’është mirë që të dalë sepse kishte temperaturë. Do e shohim deri pasdite dhe nëse gjendja stabilizohet, mund të dalim tha mjeku. Nga darka, rreth orës 20:20, ankohej përsëri dhe tha mami shkojmë në spital se nuk po ndihem mirë. Shkojnë pasditen e 31 Dhjetorit, ishte një mjeke tjetër, thotë që viroza do bënte ciklin e vet dhe e përcolli për në shtëpi. Mori antibiotikët nga data 1 deri në 5 Janar. Në datë 7 tha mami t’i bëjmë një kontroll përsëri. Kishte djegie në bark dhe e vendoste dorën te barku. Në datën 7 në mëngjes se Leo flinte me vëllain tjetër. Ai vjen e thotë hajdeni se Leo po vjell. Kishte vjellë hemoragji. Mami nuk ishte e bindur se ishte hemoragji se volli në një vend të papërshtatshëm, më pas e kuptoi…

Në datën 7 erdhëm në Tiranë. Ka qenë në reanimacion në Korçë, ata vunë re glicemi të lartë, bënë disa matje analizash për diabetin dhe thanë është më mirë të shkojë në Tiranë. Ata nuk u morën fare me të vjellën. Në 7 Janar në orë 16:00 e kanë sjellë në Tiranë. Si fillim e priti Urgjenca Pediatrike, kemi pritur 20 minuta në holl. Aty vëllait nuk i është bërë asnjë ekzaminim, përveç matje diabeti dhe analiza gjaku. Këmbët e duart i kishte të ftohta dhe gishtat e nxirë. Ndërroi jetë në orën 01:45 të datës 8 Janar. 7 orë ka qënduar në Tiranë.

Shpërndaje në: