Vazhdon rënia e numrit të popullsisë në Kosovë
Në Kosovë po vazhdon trendi i rënies së numrit të popullsisë.
Sipas ekspertëve, faktorët që kanë ndikuar në këtë trend, janë emigrimi dhe rënia e natalitetit. Ata i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore, që të hartojnë politika për uljen e emigrimit.
Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave patën thënë së fundmi se janë të vetëdijshëm që ka ulje të numrit të popullsisë, ndonëse numri zyrtar nga regjistrimi i fundit ende nuk është bërë publik.
Mbi 1.7 milion ishte numri i banorëve në Kosovë në vitin 2011, kur është bërë regjistrimi i popullsisë. Nga atëherë deri sivjet, kur u bë regjistrimi i fundit, sipas të dhënave, ka vazhduar të ketë rënie të numrit të popullsisë.
Këtë vit, nga 5 prilli deri më 24 maj, u zhvillua procesi i regjistrimit të popullsisë, ndërsa Agjencia e Statistikave në konferencat e fundit ka bërë të ditur se të dhënat fillestare pritet të publikohen në korrik, ndërsa ato përfundimtare në fund të këtij viti. Ekspertët thonë se në rënien e numrit të popullsisë kanë ndikuar emigrimi dhe ulja e natalitetit.
Demografi Sami Behrami, tha për Radio Kosovën se kjo është shqetësuese dhe se tani është koha e fundit që institucionet të merren seriozisht me problemin e migrimit.
Edhe Besim Gallopeni nga Shoqata e Sociologëve të Kosovës, tha për Radio Kosovën se faktorët kryesorë janë lëvizjet e popullsisë dhe numri i ulët i lindjeve. Ai theksoi se pasojat mund të jenë të mëdha në të gjitha fushat.
Gallopeni theksoi se trendi i rënies së numrit të popullsisë është vërejtur në të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës. Tutje ai theksoi se institucionet vendimmarrëse në Kosovë duhet të kenë një vëmendje të shtuar, në mënyrë që të kenë një organizim konform gjendjes në terren, duke ndërmarrë hapa në ndërtimin e politikave, që ky trend i emigrimit të ulet.
Në raportet vjetore të Agjencisë së Statistikave, dhjetëra-mijëra persona largohen çdo vit nga Kosova drejt vendeve të huaja. Ndërsa para gjashtë muajve, ASK-ja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2022, e kanë lëshuar Kosovën mbi 41 mijë persona.