Vazhdon dominimi i Lille në Francë, PSG mposhtet edhe në finale të Superkupës

Vazhdon dominimi i Lille në Francë, PSG mposhtet edhe në finale të Superkupës

Skuadra e Lille ka konfirmuar edhe një herë se aktualisht është skuadra më e mirë franceze, duke mposhtur skuadrën e PSG edhe në finale të Superkupës.

Kampionët e Ligue 1 arritën të marrin një fitore minimale (1:0), por me vlerë shumë të madhe, përballë skuadrës së PSG, që drejtohet nga Mauricio Pochettino, shkruan Periskopi.

Goli i vetëm në këtë takim u shënua nga lojtari portugez, Xeka, i cili rrugën e golit e gjeti në minutën e 45’ të takimit, për ta çuar Lille në pushim me një gol avantazh.

Parisienët tentuan gjatë pjesës së dytë që të barazonin shifrat, duke diktuar edhe tempon e lojës, por nuk ia arritën. Golin gjeti Icardi pas asistimit të Wijnaldum, por ky gol doli të ishte i parregullt, me argjentinasin që ishte në pozitë jashtë loje.

Mungesat e emrave si Kylian Mbappe, Di Maria, Neymar e Verratti në formacionin startues vëreheshin edhe në kreativitetin e lojës së PSG.

Ajo çka ra në sy gjatë këtij takimi që u luajt në Izrael, ishte edhe pritja që izraelitët patën për Achraf Hakimi, mbrojtësin e PSG. Lojtari shoqërohej me vërshëllima çdo herë që prekte topin, për shkak të një postimi që e kishte bërë në përkrahje të Palestinës, gjatë këtij viti.  /Periskopi/

Shpërndaje në: