Vazhdojnë problemet në futbollin shqiptar, hakohet uebfaqja e FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se faqja e saj zyrtare është sulmuar nga hakerat dhe se për momentin mbetet e bllokuar. Në një komunikim në rrjetet sociale, FSHF sqaron se sulmi ndaj faqes ka prapavijë politike dhe lidhet pikërisht me denoncimin aty të fjalës së Erjon Veliajt në takimin me delegatët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.
Dita e sotme ishte mjaft e tensionuar për shkak të zgjedhjeve për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, ku u përfshinë edhe aktorë politikë si kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili shpalosi hapur synimin e tij për të marrë në duar edhe futbollin në vend.
Ja njoftimi i FSHF-së:
Në një ngjarje të paprecedentë uebi i qeverisë së futbollit është sulmuar në mënyrë agresive nga hakerat dhe mbyllur sot pas publikimit të fakteve tronditëse për ndërhyrjen flagrante të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë. Në çastet që po flasim faqja vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të këtij sulmi të qartë me prapavijë politike.
FSHF dënon këtë sulm skandaloz të politikës dhe i bën thirrje që të tërhiqen sa më parë pasi kjo taktikë mund të ketë pasoja të rënda për cilindo të përfshirë në këtë akt të turpshëm. Pavarësisht këtij sulmi, komuniteti i futbollit shqiptar do të vazhdojë të denoncojë të gjitha ndërhyrjet, sulmet dhe presionet e politikës dhe nuk do të tërhiqet përballë shantazheve dhe kërcënimeve të pushtetit.