Varroset me nderime i zhdukuri i masakrës së Kralanit, Sabedin Kryeziu

11 trupa të personave të zhdukur janë gjetur në varrezën masive në Bishtazhin më 19 mars të këtij viti, viktima këto që më 2 prill 1999, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke.
Në mesin e tyre ishte edhe Sabedin Kadri Kryeziu, për të cilin, gjatë ditës së sotme, komuna e Malishevës mbajti ceremoni varrimi.
Para varrimit, në shkollën e fshatit u mbajtën homazhe në nderim të tij.
“S. Kryeziu është njëri nga tre personat e zhdukur nga Komuna e Malishevës, të cilët u identifikuan përmes analizave të ADN-së, ndërsa vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe dhjetëra qytetarët të tjerë të Malishevës. Në homazhe dhe në ceremoninë e varrimit morën pjesë një numër i madh qytetarësh, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfshirë Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetarin Vesel Krasniqi, zyrtarë të shoqatës “Kujtesa” për të pagjeturit, klerikë fetarë dhe të tjerë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e komunës, transmeton Periskopi.
