Varësia nga telefonat ndikon në sjelljet e këqija të fëmijëve

Periskopi.com Tech & Auto

Prindërit që kanë një varësi ndaj telefonave të tyre mobilë mund të fajësohen për sjelljen e këqija të fëmijëve tyre, tregojnë studimet.

Shkencëtarët kanë zbuluar një trend midis përdorimit të tepruar të pajisjeve nga nënat dhe baballarët dhe problemet e sjelljes në të rinjtë, transmeton KosovaPress.

Pothuajse 200 familje u përfshinë në studimin e ‘technoference’ – ndërprerje në ndërveprimet ballë për ballë për shkak të pajisjeve teknologjike. Technoference në ushqim mund të dëmtojë fëmijët, pohojnë kërkuesit, duke i bërë ata të bëhen hiperaktivë, ose të zemëruar.

Sjellja e dobët te fëmijët ishte më shumë e lidhur me përdorimin e telefonave nga ana e nënave të tyre, shkencëtarët zbuluan në revistën Pediatric Research.

Studimet e fundit vlerësojnë se prindërit përdorin TV, kompjuterë, tabletë dhe telefona të mençur 9 orë mesatarisht në ditë.

Një e treta e kësaj kohe llogaritet të shpenzohen për telefona të mençur, shpesh të përdorura gjatë aktiviteteve familjare, si p.sh. gjatë ngrënies dhe kohës së gjumit.

Ekspertët e Universitetit Shtetëror të Illinois dhe Universitetit të Miçiganit thanë se të gjitha këto janë të përfshira në formësimin e mirëqenies social-emocionale të një fëmije.

Brandon McDaniel, i cili udhëhoqi studimin, tha se prindërit që kanë fëmijë me probleme më të theksuara bëhen më tepër të stresuar.

“Kjo mund të çojë në tërheqjen e tyre më të madhe në teknologji, e cila mund të kontribuojë në problemet e fëmijëve”, tha ai.

Studimi vjen pasi Mançesteri është gati të nisë një fushatë për të trajtuar ‘ndarjen’ në komunikimin midis prindërve dhe fëmijëve si pasojë e përdorimit të teknologjisë.

Qyteti do të bëhet autoriteti i parë në Britani të Madhe për të filluar një skemë të tillë, e cila do të udhëzojë prindërit për rastet kur duhet të mos përdorin telefonin e tyre.

Shpërndaje në: