Varane me një mesazh prekës për tifozët e Real Madrid – përshëndetje e ngrohtë para nisjes së aventurës me Man Utd

Varane me një mesazh prekës për tifozët e Real Madrid – përshëndetje e ngrohtë para nisjes së aventurës me Man Utd

Një nga mbrojtësit më të mirë në botën e futbollit, Raphaël Varane, do të nis një aventurë të re këtë edicion, me fanellën e Manchester United.

Lojtari francez ka vendosur që pas një dekade ta lë skuadrën e Real Madrid, për të testuar vetën tashmë në ‘Old Trafford’, në atë që njihet si liga më e fortë në futboll, Premier League.

Pak ditë pasi u zyrtarizua te Manchester United, Varane ka lëshuar një mesazh lamtumire për tifozët e Real Madrid, të cilin Periskopi ua përcjell më poshtë.

“Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me shumë emocione, ndjenja që tani unë dua t’i ndaj me të gjithë ju. Pas 10 viteve të mrekullueshme te Real Madrid, klub që do të qëndrojë gjithmonë në zemrën time, erdhi dita që të them lamtumirë”, ka shkruar Varane në profilin e tij në ‘Instagram’.

“Që kur erdha këtu në vitin 2011, ne së bashku kemi kaluar të gjitha pritshmëritë dhe kemi arritur gjëra që as nuk i kisha ëndërruar më parë. Do të doja të falënderoja të gjithë trajnerët dhe njerëzit që kanë punuar apo punojnë për klubin – për të gjitha që i kanë bërë për mua”, shtoi francezi.

“Faleminderit shumë të gjithë madrilenëve që gjithmonë më dhanë shumë dashuri dhe me kërkesat e larta më shtynë që të jap më të mirën dhe të luftoj për secilin sukses.”

“Kisha nderin të ndaja dhomën e zhveshjes me lojtarët më të mirë në botë. Fitore të panumërta që nuk do t’i harroj kurrë, sidomos ‘La Decima’. E shoh se ka qenë një privilegj që të jetoja këto momente speciale.”

“Në fund dua të falënderoj të gjithë spanjollët, qytetin e Madridit sidomos, ku dy fëmijët e mi janë lindur. Ky shtet gjithmonë do të jetë special për mua. Ka qenë rrugëtim i hatashëm. Largohem me ndjenjën se kam dhënë gjithçka dhe nuk do të ndryshoja asgjë në historinë tonë.”

“Fillon një kapitull i ri”, ishin fjalët e qendërmbrojtësit, drejtuar tifozëve.

Varane shihet si një nga lëvizjet më interesante të merkatos së verës, së paku deri në këtë pikë zhvillimesh. /Periskopi/

Shpërndaje në: