Vajzë e mbuluar në Prishtinë
Që nga momenti i daljes nga banesa fillova të vërej shikimet e ndryshme, eh më besoni që ato shikime janë më të rënda se fjalët. Gjithsesi, tani kisha përgjithësi më të mëdha se sa shikimet që njerëzit gjithmonë më jepnin për shkak të shamisë.
Jemi mësuar të dëgjojmë që vajzat që mbulohen duhet të jenë të urta (me marifet), të dalin në kafe nuk është etike, “gruaja është për shpi” e të tjera broçkulla, përjashtim të parës, që prapë varet nga karakteri.
Fillova të dal në kafe edhe si e mbuluar,natën,ditën nuk kishte rëndësi për mua. Ajo që më interesonte ishte të përçoja mesazh tek “islamo-fobët” që ne nuk jemi si na paraqesin të tjerët. Doja të jepja imazh tjetër që nuk ishte parë më herët.
A kam thyer ligjet e fesë Islame duke bërë këtë? Nëse pyesni shumicën e hoxhallarëve në Kosovë kanë për të thënë që po, se janë mësuar me e shtyp gruan.
Mënyra e veshjes, komunikimi dhe çdo gjë tjetër nga ana ime më bëri të pranueshme në çdo vend e rreth që rrija. Pyetjet që më drejtoheshin ishin të ndryshme. Shikimet dhe analizimi nga koka te këmbët gjithmonë ishin prezente.
Në Prishtinë janë mentalitete të ndryshme që sorollaten gjithandej. Paragjykime “si shqiptarët mo”, ajo që unë arrita ishte të hidhja poshtë çdo paragjykim ndaj meje, duke bërë atë që bëjnë të gjithë, jetova normalisht.
Predispozitat për t’u munduar të më ulnin për shkak të mbulesës kanë të gjitha vajzat e gratë e mbuluara ndoshta, po ja që unë nuk e preka këtë pikë.
Ajo që ti servon atë do të marrin të tjerët. Se a është vështirë me jetuar në Prishtinë si një vajzë e mbuluar, po ju tregoj unë që hiç nuk është vështirë. Mjafton me vazhduar me jetuar, dhe shamia me qenë pjesë e jotja, sepse ajo shami është vendim i imi.
Jam ende e re nuk e di se çfarë ka do më ofrojë jeta, ama një gjë e di, që jam gati për çdo “betejë” e nuk ka njeri që më ndal. Edhe si një vajzë e mbuluar në Prishtinë.
Shkruan: Adna Qerkezi – Studente e Fakultetit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës