Vaji i ullirit zgjidhja për fëmijët obezë
Hidroksitirosoli, një substancë që e përmban vaji i ullirit, përmirëson stresin oksidativ, rezistencën e insulinës dhe mëlçinë yndyrore tek fëmijët, sipas studimit të kryer nga mjekët dhe studiuesit në spitalin pediatrik ”Gesù Bambino”, në Romë, dhe botuar në revistat ”Antioxidant” dhe ”Redox Signaling”.
Obeziteti është një problem i madh global tek fëmijët dhe adoleshentët.
Rritja e numrit të fëmijëve me mbipeshë në vendet e industrializuara çoi në rritjen paralele të rasteve të sëmundjeve të mëlçisë yndyrore joalkoolike (NAFLD).
Në 20 vitet e fundit në steatoza ka arritur përmasa epidemike në mesin e fëmijëve duke u bërë sëmundja kronike e mëlçisë më e shpeshtë në botën perëndimore.
Në Itali vlerësohet se rreth 15% e fëmijëve janë prekur, por deri në 80% tek fëmijët mbipeshë.
Ndër shkaqet e mëlçisë yndyrore është rritja e stresit oksidativ që qelizat i nënshtrohen si rezultat i obezitetit.
Në këtë studim kërkuesit kanë përfituar nga përvoja e Departamentit të Kimisë, Biologjisë dhe Farmakologjisë të universitetit të Messinës. I udhëhequr nga mjekët e ”Gesu Bambino” ky është testimi i parë pediatrik me përdorimin e hidroksitirosolit, një vaj ulliri fenol me fuqi të lartë antioksidante.
Problemi është se që të ketë efektin e dëshiruar antioksidant, do të jetë e nevojshme të përdoren sasi të mëdha të vajit të ullirit, por me rrezikun serioz për t’u bërë obezë, pasi vaji i ullirit është shumë kalorik. Por, sot është e mundur që, falë përparimeve në teknologjinë farmaceutike, të përdoren vetëm antioksiduesit e vajit të ullirit, pa pasur efekt kalorik, por vetëm efektet e dobishme.
“Këto produkte natyrale mund të integrohen në dietën e fëmijëve obezë për të luftuar komplikimet e tilla si stresi oksidativ, plakjen e qelizave, dëmtimin e mureve të arterieve dhe venave”, shpjegon Valerio Nobili, kreu i Hepatologisë dhe Gastroenterologisë në spitalin ”Gesu Bambino” të Romës. /ATSH