Uzuni dhe Mehmeti: Do të japim maksimumin ndaj Polonisë
Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në kuadër të sfidës së parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Këtë të mërkurë, dy futbollistët e Kombëtares, Myrto Uzuni dhe Anis Mehmeti dolën në një konferencë për media, ku folën për atmosferën në ekipin kuqezi dhe objektivat për sfidën ndaj Polonisë më 27 mars në Varshavë.
Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka realizuar 20 gola deri më tani te Kombëtarja, u shpreh se ka dëshirë të shënojë edhe në Poloni, ndërsa tregoi edhe bisedat me trajnerin e ri, Silvinjo, fazën ofensive ku ai bëri pjesë dhe ndryshimin e tij me ish-treajnerin e Kombëtares, Edy Reja.
20 gola me Granadën dhe Kombëtarja – Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me kaq. Sa i përket Kombëtares jam shumë i lumtur që jam ftuar. Të përfaqësosh vendin, familjen, kombin, është gjëja më e madhe për një futbollist. Sa i përket pozicionit në fushë, ndihem më mirë tani, pasi shënoj gola dhe i shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia. Ndihem më mirë si qendërsulmues.
Atmosfera në Kombëtare dhe lojtarët e rinj – Ndryshime në futboll duhen dhe jam shumë i lumtur për ndryshimin që është bërë në ekipin kombëtar. Është një frymë e re, mentalitet i ri. Uroj të arrijmë rezultatet pozitive sepse prandaj jemi thirrur. Sa i përket lojtarëve të rinj i uroj mirëseardhjen dhe t’i afrojmë sa më shpejt që të adaptohen me ne dhe të japin maksimumin.
Gola te Kombëtarja? – Siç e thashë kur vjen në Kombëtare është një përgjegjësi akoma edhe më e madhe sepse tani përfaqëson kombin. Nuk do të thoja ngërç, por tani kam më shumë eksperiencë dhe jam më i gatshëm. Koha do e tregojë më së miri.
Trajneri i ri– Kam pasur edhe komunikime të mëparshme me trajnerin. Kur erdha këtu ia urova sërish mirëseardhjen dhe trajneri ka shumë besim te unë dhe shpresoj t’ia shpërblej.
Ndryshimi me trajnerin Reja – Mendoj që ndryshojnë te mentaliteti. Por, siç e thashë edhe më parë, koha do të tregojë gjithçka, koha është treguesi më i mirë.
Unë apo Levandovski, kush shënon në Varshavë? – Kur futem në fushë, gjithmonë futem me mendimin që dua të shënoj pasi siç e thashë edhe më parë, kjo është gjëja që bëj më së miri. Dhe këtë dua të bëj në Varshavë.
Biseda me trajnerin dhe kërkesat e tij– Trajneri Silvinjo i ka gjërat e qarta, kërkon një lojë më sulmuese sesa lojë difensive. Në lojë sulmuese do dalin edhe vlerat e mia më së miri si tek ekipi i Granada-.
Sulmi të marrë më shumë përgjegjësi në Poloni? – Patjetër, duhet të kërkojmë më shumë nga vetja, nuk duhet të kënaqemi. Mundësitë janë, kualiteti është aty. Mendoj se përgjegjësia na takon ne sulmuesve, por edhe ne ekipit, si mesfusha mesfusha dhe mbrojtja që duhet të sjellin topin te sulmi dhe ne duhet ta finalizojmë.
Si do të luajë Shqipëria në Poloni? – Siç e shikoj unë tani mendoj se do të luajmë një lojë më shumë ofensive. Për këtë gjë duhet të pyesni trajnerin, por me sa nuhas unë trajneri do të bëjë një lojë më shumë sulmuese.
Ndërkaq, edhe mesfushori kuqezi i cili aktivizohet në ekipin e Bristol City-t në kampionatin anglez u shpreh se ftesa nga kombëtarja është tashmë një ëndërr e realizuar për të dhe familjen e tij, ndërsa theksoi se është gati të luajë nga minuta e parë kundër Polonisë.
A ka ndikuar lëvizja në merkaton e janarit për të marrë ftesën nga Kombëtarja – Po sigurisht, lëvizja në Janar, Bristol City, jam i lumtur që më kanë thirrur në Kombëtaren Shqiptare.
A je gati për të luajtur në sulm? – Po, unë jam gati të luaj edhe sulmuesin majtas edhe sulmuesin 10-sh. Jam gati të bëj gjithçka.
Objektivi kundër Polonisë – Shkojmë në Poloni me qëllimin për të fituar. Kemi skuadër shumë të fortë dhe gjithë ata lojtarë që luajnë për kampionat janë shumë të fortë dhe po, besoj që do shkojmë në Poloni për të fituar.
Ftesa nga Kombëtarja – Është ëndërr për mua dhe për familjen që të luaj për Kombëtaren shqiptare dhe të vesh fanellën kuqezi. Kam folur edhe me trajnerin Silvinjo.
Gati për të luajtur nga minuta e parë kundër Polonisë? – Jam gati që të luaj nga minuta e parë në Poloni dhe të jem pjesë e formacionit titullar.
Kundërshtari polak – Polonia ka një skuadër shumë të fortë, por ne jemi të përqëndruar tek ajo që do bëjmë ne në fushë. Ata kanë Levandovskin, por ne jemi gati të luajmë lojën tonë.