Ushtria izraelite thotë se ka hapur një pikë të re të ndihmave humanitare në Gaza
Forcat Ushtarake të Izraelit (IDF) kanë njoftuar hapjen e një kalimi të ri të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
“Në përputhje me direktivën e qeverisë së Izraelit dhe në koordinim me qeverinë amerikane, në zonën e Rripit verior të Gazës u hap Kalimi ‘Wetern Erez (Erezi Perëndimor)’ për transferimin e ndihmave humanitare për banorët e Rripit të Gazës”, tha IDF-ja në deklaratën të dielën.
IDF tha se është pjesë e përpjekjes “për të rritur rrugët e ndihmës në Rripin e Gazës, dhe në Rripin verior të Gazës në veçanti”.
Kjo erdhi pasi Ushtria izraelite të shtunën urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të disa lagjeve të tjera në Rafah, ku ka intensifikuar operacionet përpara një ofensive të parashikuar tokësore.
Rreth 300 mijë njerëz janë larguar tashmë nga qyteti jugor i Gazës, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së të premten, kalimet jugore për në Rripin e Gazës nuk kanë parë ndihmë për tre ditë.
Egjipti tha të shtunën se nuk do të koordinojë hyrjen e ndihmave nga vendkalimi Rafah, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.