Ushtria izraelite njofton se ka sulmuar një numër pozicionesh të Hezbollahut në Liban

Ushtria izraelite njofton se ka sulmuar një numër pozicionesh të Hezbollahut në Liban

Ushtria izraelite tha të enjten se kreu sulme kundër shtatë pozicioneve të Hezbollahut në Libanin jugor, ndërsa njoftoi gjithashtu arrestimin e një shtetasi izraelit të dyshuar për përfshirje në një komplot të mbështetur nga Irani për të vrarë zyrtarë izraelitë.

Autoritetet izraelite thanë përmes një deklarate se personi i arrestuar ishte një biznesmen me lidhje në Turqi, i cili mori pjesë në të paktën dy takime në Iran dhe se objektivat e mundshëm të komplotit përfshinin kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.

Arrestimi u bë muajin e kaluar, thuhet në deklaratë.

Përveç sulmeve izraelite të enjten, ushtria izraelite raportoi gjithashtu se disa dronë kishin kaluar nga Libani në territorin izraelit.

Sulmet e fundit ndërkufitare pasuan shpërthimet e radiove të dorës dhe pajisjeve të komunikimit “pager” të përdorura nga Hezbollahu në Liban, që shkaktuan vrasjen e të paktën 32 njerëzve dhe plagosjen e mbi 3,000 të tjerëve të martën dhe të mërkurën. Për këto shpërthime, Hezbollahu fajësoi Izraelin, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përfshirjen.

Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha të enjten se ai kishte folur në telefon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin për situatën në rajon, duke përfshirë “mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve të Hezbollahut”.

Pentagoni tha se Sekretari Austin përsëriti “mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Izraelin përballë kërcënimeve” nga Irani, Hezbollahu dhe partnerë të tjerë iranianë në rajon.

“Sekretari Austin theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të frenuar kundërshtarët rajonalë dhe përpjekjet për të ulur tensionet në të gjithë rajonin”, tha një zëdhënës i Pentagonit.

Shpërthimet e pajisjeve

Shpërthimet e pajisjeve të komunikimit “pager” dhe radiove të dorës pasuan njoftimin e Izraelit se po zgjeronte objektivat e luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, duke përfshirë mbrojtjen e Izraelit verior nga sulmet e Hezbollahut me raketa.

Por disa ish-zyrtarë të zbulimit argumentojnë se shpërthimi i pajisjeve “pager” të Hezbollahut, radiove të dorës dhe pajisjeve të tjera mund të jetë pjesë e një përpjekjeje izraelite për të realizuar objektivat e tij pa patur nevojë të luftojë.

“Ajo që Izraeli po përpiqet të bëjë është të arrijë të pengojë Hezbollahun që të mos kryejë sulme me 50-60 raketa në ditë, por pa rrezikuar një luftë më të gjerë”, tha Daniel Hoffman, ish zyrtar i CIA-s.

Zoti Hoffman i tha Zërit të Amerikës se operacioni, që dyshohet së është kryer nga Izraeli, mund të ketë qenë gjithashtu një përpjekje për të dobësuar pozitën e Hezbollahut në Liban.

“Ai synon të distancojë qytetarët e Libanit nga Hezbollahu”, tha ai. “Mesazhi është, ‘nuk duhet të jeni afër anëtarëve të Hezbollahut’”.

Ish zyrtari i CIA-s, Daniel Hoffman tha se, duke patur parasysh aftësitë e shërbimeve izraelite të zbulimit, nuk mund të përjashtohet mundësia e operacioneve ndaj llojeve të tjera të pajisjeve të Hezbollahut në të ardhmen.

Ish-zyrtarë të tjerë të zbulimit kanë sugjeruar se operacioni për të hedhur në erë pajisjet e komunikimit gjithashtu i jep Izraelit një avantazh nëse tensionet me Hezbollahun përshkallëzohen.

Sipas tyre, këto shpërthime të paktën kanë dobësuar aftësinë e Hezbollahut për të komunikuar në kohë krize dhe njëkohësisht nxjerrin militantët kryesorë nga fusha e betejës.

Hezbollahu filloi të përdorte pajisjet e komunikimit “pager”, pasi udhëheqësi i grupit i urdhëroi anëtarët të ndalonin përdorimin e celularëve mes shqetësimeve se Izraeli mund të përgjonte dhe gjurmonte komunikimet e tyre.

Dr. Tania Baban, një mjeke në Liban që punon për shoqatën bamirëse mjekësore me qendër në Shtetet e Bashkuara, “MedGlobal”, i tha Zërit të Amerikës se grupi i saj kreu më shumë se 460 operacione të lidhura me plagët e shkaktuara nga shpërthimet e pajisjeve “pager” të martën, duke përfshirë amputime të gishtave dhe duarve.

Ekspertët e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara u thanë mediave amerikane se besojnë se në një farë mënyre agjentët izraelitë gjurmuan dërgesat e pajisjeve “pager”, duke arritur t’i mbushnin ato me eksplozivë përpara se të mbërrinin në Liban dhe të shpërndaheshin nga Hezbollahu.

Hsu Ching-Kuang, themelues i kompanisë “Gold Apollo” me bazë në Tajvan, u tha gazetarëve të mërkurën se kompania e tij nuk prodhonte më pajisje “pager”, edhe pse logoja e saj u panë në mbetjet e pajisjeve të shpërthyera, që u ekzaminuan të martën.

Ai tha se firma “Gold Apollo” kishte lejuar që marka e saj të përdorej në pajisjet e prodhuara dhe të shitura nga një kompani e quajtur “BAC” me adresë në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.

Shpërndaje në: