Ushtarët pa bukë, reagon Maqedonci pas letrës së Jasharit: Kemi kërkuar të ndërmerren hapat e duhur për furnizimin ushqimor
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar pas lajmeve për rrezikimin e ushtarëve nga helmimi dhe letrën e dërguar nga gjeneral Bashkim Jashari, se FSK do të ndërpres të gjitha aktivitete, në qoftë se nuk ndërmerren masa, shkruan Periskopi.
Maqedonci ka deklaruar se këto ditë kanë bërë përpjekje të “vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Duke marrë parasysh çështjet e ngritura në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e FSK-së, ju njoftoj se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, shkruan ministri në Facebook.
Ai tha se pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që është bërë më 10 tetor, do të vazhdojnë hapat për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses.
“Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj” – ka shkruar Maqedonci.