Ushqimet që mund të konsumohen pa kufizime nga diabetikët
Të jesh diabetik, nuk do të thotë që duhet të heqësh dorë nga të gjitha llojet e ushqimeve për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak. Shpesh personat me këtë sëmundje, frikësohen për shkak të tabusë që ka ekzistuar prej kohësh, se të qenit me diabet do të thotë të ndalosh së ngrëni një sërë ushqimesh. Por, më shumë se kufizim, duhet ndryshuar stili i jetesës së këtyre pacientëve, i cili duhet orientuar jo drejt kufizimit të ushqimit, por drejt menaxhimit më të mirë të mënyrës së të ushqyerit, ku një rol të rëndësishëm luan përcaktimi i rregullt i vakteve dhe sasisë së ushqimeve që duhen ngrënë në secilin vakt.
Mjekët e këtij shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, krahas terapisë medikamentoz po i orientojnë pacientët edhe drejt rregullave të thjeshta që të mos lejojnë rëndimin e kësaj sëmundje, e cila duhet mbajtur nën kontroll gjatë gjithë jetës, pasi nuk flitet për një shërim të saj. Për këtë, ata kanë shpallur edhe një udhëzues nëpërmjet të cilit, rekomandojnë hapat që duhet të ndjekim ndaj përditshmërisë tonë për të mos qenë të varur nga ndërlikimet e kësaj sëmundje. Rëndësia e dietës në mjekimin e diabetit, nuk ndalet në kufizime drastike. Sipas, mjekëve të QSUT-së, i sëmuri me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi, por sasia do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrave që ato kanë. “Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak vetëm duke mbajtur dietën e rekomanduar nga mjeku endokrinolog dhe pa asnjë mjekim tjetër shoqërues. Dieta është specifike për çdo person me diabet. Ajo varet nga metabolizmi bazal, nga BMI-ja (indeksi trupor, i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit) dhe nga aktiviteti i tij fizik. Pra është specifike për çdo person që jeton me sëmundjen e diabetit”, sqarohet në udhëzimin edukues të përgatitur për pacientët diabetikë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar konkretisht se cilat janë këto rregulla që nuk duhen neglizhuar.
Sa vakte duhet të marrë një person me diabet gjatë ditës, si dhe në cilën pjesë të ditës
Në çfarë sasie duhet t’i marrim përbërësit kryesore?
Ka një rregull të përgjithshëm, të cilin pacientët nuk duhet ta neglizhojnë, pasi në këtë formë mbahen nën kontroll ndërlikimet e sëmundjes. Zakonisht përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të orientohet drejt një skeme të tillë ku: 40 për qind duhet të jenë karbohidrate, 40 për qind të tjera duhet të jenë proteina, si dhe pjesa e mbetur prej 20 për qindësh duhet të përbëhet nga yndyrat, kryesisht ato që listohen si yndyra të mira.
Ushqimet që mund të merren pa u kufizuar në sasi
Ekziston edhe një grup i detajuar ushqimesh të cilat mund të merren dhe pa sasi të kufizuara, pasi përbërja e tyre nuk sjelle dëme në organizëm, ndryshe nga sa mund të ndodhë nëse marrim sasi të mëdha të ushqimeve të tjera që mbeten jashtë kësaj liste. Konkretisht në listën e ushqimeve që mund të konsumohen, pa kufij nga të sëmurët kanë të bëjnë me :“ Uji, kafeja duhet të jetë pa sheqer, çajrat po ashtu duhet të jenë pa sheqer, rrepë, speca, spinaq, kungulleshka, sallatë jeshile, qepë, panxhar i kuq, lëng zarzavatesh, lakër e bardhe, lulelakër, kastravecë, domate, patëllxhan, domate, bamje, karota, mollë”.
Rekomandohen të merren përditë, por në sasinë e caktuar:
Bukë 1/2 e bardhë 50 gr, bukë me drithëra 60 gr.
oriz i gatuar 50 g, makarona të gatuara 50 gr.
patate 60 g, patate të skuqura 30 g, pure patatesh 70 g.
qumësht 200 ml, kos frutash 180 g.
bizele të gatuara 20 g, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr.
Nuk rekomandohen :
Pasta me krem (sheqer), ëmbëlsira në përgjithësi.
-të skuqura (yndyra)
-pije të ëmbla dhe të gazuara
-pije alkoolike, birra
Si të ndërtojmë një vakt normal për një person me diabet ?
Mëngjesi : bukë + qumësht + djathë + vezë e zier
Dreka : bukë + supë perimesh + mish peshku ose pule + sallatë perimesh
Darka : bukë + supë zarzavatesh ose makarona + kos
Vakti i ndërmjetëm: një frut, Kos frutash, sallatë perimesh ose 3 biskota.
Format se si duhet të kontrollohet aktiviteti fizik
Mjekët theksojnë se aktiviteti fizik përbën një ndër shtyllat kryesore të ndjekjes së diabetit. Të gjithë jemi në dijeni që të ecurit, vrapi, noti, aerobia ndikojnë në përmirësimin jo vetëm të peshës sonë, por dhe të gjendjes psikologjike. Sigurisht që kjo vlen edhe për një person të sëmurë me diabet. Duhet ditur se përpara fillimit të aktivitetit fizik të gjithë të sëmurëve me diabet u bëhet një vlerësim i komplikacioneve kronike për të përcaktuar qartë intensitetin e aktivitetit fizik të secilit, në bazë të shkallës së komplikacioneve. Për këtë është e nevojshme të kryhen ekzaminimet që përcaktojnë praninë e komplikacioneve mikrovaskulare dhe makrovaskulare, të cilat mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik. Kështu, që identifikimi i komplikacioneve ndihmon të minimizojmë riskun dhe të përcaktohet një plan individual të aktivitetit fizik për çdo të sëmurë. Aktiviteti fizik ka një ndikim të rëndësishëm në organizmin e njeriut pasi normalizon nivelin e sheqerit në gjak, pakëson faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës; ul nivelin e yndyrave në gjak, rregullon tensionin e gjakut, na ndihmon për uljen në peshë, ul riskun për kancer. Aktivitetet më të pranueshme janë: “Ushtrime aerobe (ecje, vallëzim, not, volejboll, basketboll, futboll, tenis, ecje me biçikletë etj,). Rekomandohet gjithmonë që përpara ushtrimit të mund të llogariten dozat suplementare të karbohidrateve për nga intensiteti dhe zgjatja e aktivitetit fizik, duke konsideruar dhe vlerat e glikemisë, e cila esëll nuk duhet të jetë më e madhe se sa 250 mg/dl. Të kryhet kontrolli metabolik përpara fillimit të çdo aktiviteti fizik.
Parandalimi i komplikacioneve të diabetit, ja 8 mënyrat si duhet të veproni
Diabeti është një sëmundje, e cila zgjat të gjithë jetën. Një kontroll jo i mirë i sheqerit në gjak mund të shkaktojë dëmtime serioze në organizëm. Ndërsa një kontroll i mirë i sheqerit në gjak mund të vonojë madje edhe të parandalojë komplikacionet e diabetit. Nëse i sëmuri me diabet respekton parimet kryesore të dietës, marrjen e mjekimit në oraret e caktuara nga mjeku kurues dhe kryerjen e aktivitetit fizik në bazë të nevojave personale, ndjekja e mëtejshme e sëmundjes do të jetë e mirë, çfarë do të ndikojë në parandalimin dhe rëndimin e komplikacioneve.
1. Ndërtoni një plan të ushqyerjes në të cilën të keni kontrolluar kaloritë, karbohidratet dhe sheqernat. Duhet të kufizoni sa më shumë kripërat për të kontrolluar tensionit arterial dhe proteinat për të mbrojtur veshkat. Nëse jeni mbipeshë, humbja e saj do të ndikonte në përmirësimin e sheqerit dhe tensionit arterial.
2. Merrini mjekimin rregullisht.
Sigurohuni që mjeku të jetë i informuar për të gjitha mjekimet që merrni.
3. Shkoni tek mjeku të paktën dy herë në vit.
Nëse keni problem duhet të konsultoheni më shpesh.
4. Shkoni tek okulisti një herë në vit
Kjo veçanërisht në rastet nëse keni rrezik për të vuajtur nga retinopatia (sëmundja e shikimit për diabetikët). Përmes një analize të syve mund të zbuloni ndryshimet që sjell retinopatia. Trajtoheni retinopatinë sa më shpejt për të mbrojtur shikimin.
5. Kujdesi për këmbët duhet të jetë i përditshëm
Kujdesuni për këmbët çdo ditë për të parë nëse keni çarje, kallo ose çdo lloj ndryshimi tjetër. Nëse nuk mund ta bëni ju, kërkojini një tjetër personi ndihmë. Dëmtimi i nervave nga diabeti mund t’u pengojë të ndieni dhembje. Nëse nuk jepet trajtimi i duhur që në fillim, ka mundësi të krijohet një infeksion dhe të kaloni rrezikun e një amputimi. Në çdo konsultë me mjekun kërkojini atij t’u shohë këmbët për të evituar ndonjë problem të mundshëm.
6. Mos pini duhan.
Një cigare dëmton organizmin dhe rrit rrezikun e një ataku kardiak, ose problemeve pulmonare.
7. Bëni sa më shumë ushtrime fizike.
Ushtrimet fizike janë shumë të nevojshme për të kontrolluar peshën dhe sheqerin në gjak. Zvogëlojnë dhe rrezikun për sëmundje të zemrës.
8. Menaxhoni stresin.
Mënyra efektive për të menaxhuar stresin janë: bërja e aktivitetit fizik, biseda me një shok, të lexuarit të një libri, meditimi etj.
Pse duhet kujdes i veçantë për këmbët
Këmbët (arteriopatia dhe neuropatia ). Tek të sëmurët me diabet duhet të tregojmë një kujdes të veçantë për këmbët. Çdo i sëmurë duhet që t’i lajë çdo ditë këmbët me ujë të ngrohtë dhe me sapun, më pas duhet t’i thajë ato me peshqir të pastër. Duhet t’i presin thonjtë me kujdes jo thellë dhe t’i bëjnë me limë. Gjithashtu duhet të përdorin çorape pambuku, dhe të veshin këpucë sa më të rehatshme. Ato duhet t’i kontrollojnë çdo ditë këmbët se mos është shfaqur ndonjë flluske apo plagë të vogla me qëllim që në momentet e para të paraqiten tek mjeku i tyre për t’u mjekuar sepse çdo vonesë mund të jetë një rrezik për këmbën. Të mos prekin objektet e nxehta për t’u ngrohur sepse mund të digjen.
Mostrajtimi në kohë i sëmundjes shfaq edhe vështirësi seksuale
Si meshkujt dhe femrat me diabet paraqesin vështirësi seksuale, sidomos nëse ata janë të diagnostikuar prej vitesh. Dëmtimi i nervit të quajtur neuropati diabetike autonome, shkakton impotencë tek burrat dhe femrat mund të kalojnë në humbje të ndjeshmërisë rreth zonës vaginale. Kontrolli i sheqerit është zgjidhja më e mirë për parandalimin e kësaj problematike.