Ursula von der Leyen javën e ardhshme në rajon, takime me Osmanin e Kurtin në Kosovë
Javën e ardhshme, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do ta nisë një ‘tur ‘tour’ në shtet e Ballkanit Perëndimor.
Të shtunën, më 26 tetor, ajo do të jetë në Kosovë. Siç bëhet e ditur në kalendarin e publikuar në web-faqen e KE-së, ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizitën e saj në rajon, Ursula von der Leyen do ta nisë duke u ndalur fillimisht në Shqipëri të mërkurën e 23 tetorit. Do të takohet me kryeministrin Edi Rama, e më pas pritet ta mbajë një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë.
Të nesërmen, ajo do ta takojë edhe presidentin shqiptar, Bajram Begaj.
Të njëjtën ditë ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Më pas, po të enjten do të largohet për në Bosnjë e Hercegovinë, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse.
Presidentja e KE-së të premten do të ketë takime në Presidencën e BeH.
Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Millosh Vuçeviq.
Ditën e fundit e ‘tourit’ ballkanik, Ursula von der Leyen do ta kalojë fillimisht në Kosovë, ndërsa për fund do të shkojë në Mal të Zi. Në Podgoricë pritet të takohet gjithashtu me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.