Ura “historike” dhe treni që mërdhin
Ura e Badovcit është sinonim i qeverisjes së ngathët të Albin Kurtit. Ndërkaq, derisa paralajmërohet projekti ambicioz i hekurudhës Prishtinë-Durrës, treni i linjës së vetme në Kosovë, Prishtinë-Pejë-Prishtinë, nuk ka ngrohje, kurse zhvillimi ekonomik “ka shpërthyer” gjithandej.
Treni Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas është i vetmi që qarkullon në Kosovë. Dy herë në ditë, ai bashkon kryeqytetin dhe qytetin perëndimor, duke bartur qindra vetë, të cilët zgjedhin këtë mjet transporti për arsye të ndryshme. Treni i vjetër dhe i ngadaltë lidh fshatra të tëra të Pejës, Klinës, Drenasit dhe Fushë Kosovës dhe për banorët e këtyre vendbanimeve është jeta vetë.
Më rastisi të udhëtoj këto ditë në këtë linjë. Vagonë të vjetër, dritare të pëlcitura nga gjuajtja me gurë dhe, më e keqja, mungesë e ngrohjes. Udhëtarëve që nisen nga Peja iu duhet dy orë të mërdhihen deri në Prishtinë, ashtu si dhe të tjerëve që hypin në stacione të tjera. Pra, treni i vetëm në Kosovë operon pa ngrohje. Një dështim i turpshëm i një shteti, që nuk është në gjendje të sigurojë ngrohje për të vetmin tren. Ndërkohë që zyrtarët e kanë gojën plot përparim, zhvillim ekonomik e mirëqenie.
Ata që krekosen se si tashmë po ndërtojnë rrugë e tunele që ta lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut, nuk janë në gjendje të sigurojnë ngrohje në dimër për udhëtarët e trenit që lidh Prishtinën me Pejën. Ata që flasin për zhvillim të paparë ekonomik më në fund, pas 20 muajsh, e rregulluan një urë të gjatë 38 metra.
Ura te Liqeni i Badovcit, në rrugën Prishtinë-Gjilan, më në fund është lëshuar për qarkullim. E mbyllur që nga prilli i vitit 2023, kjo urë është shndërruar në sinonim të qeverisjes së ngathët. Kontrata për ndërtimin e saj ishte nënshkruar në fillim të vitit të të kaluar, kur ishte thënë që punimet do të përfundonin për 125 ditë, që i binte mesi i majit 2024. Por, u desh të pritet deri në fund të vitit, pra 355 ditë pas nënshkrimit të kontratës, në mënyrë që qytetarët të “shijojnë” kalimin nëpër këtë urë të gjatë 38 metra. “Lajmin e mirë” e dha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Para Urës së Badovcit, qeverisja e Albin Kurtit në infrastrukturë identifikohej me urën e gjatë 12 metra mbi lumin Drini i Bardhë, e cila lidh fshatrat Saradran dhe Ruhot. Së fundi janë përuruar edhe rruga nga Prizreni në Prevallë dhe një tjetër në komunën e Dragashit, por mbeten të papërfunduara rrugët për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, si dhe autostrada e Gjilanit. Më shumë se për punë, ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu vitin e kaluar ka qenë në tituj mediash rreth dyshimeve për skandale korruptive.
Po vitin e kaluar, Aliu pati thënë se është duke u punuar në rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë me gjatësi prej 81 kilometra dhe Klinë-Prizren, me gjatësi prej 58 kilometrash. Po ashtu, ai paralajëmroi se ka nisur puna për hekurudhën Prishtinë-Durrës, e cila do të kushtojë rreth 700 milionë euro, projekti i së cilës do të jetë gati sivjet. Por, në trenin e linjës së vetme hekurudhore në Kosovë, Prishtinë-Pejë-Prishtinë, nuk ka ngrohje dhe udhëtarët mërdhijnë.
* * *
E di, përgjegjësinë për mungesën e ngrohjes në tren pushteti i tashëm ia lë “regjimeve të kaluara”, siç ka ndodhur për plot probleme të tjera. Por, Albin Kurti me të vetët kanë thënë që po e marrin detyrën që të punojnë, e të mos veprojnë si ata që kanë qenë në pushtet më parë.
Të sigurosh ngrohje në tren nuk është kurrfarë sfide, por është përgjegjësi e një pushteti me me shumë se 50 për qind të votave. Dora e pushtetit shihet në të tilla raste. Askush nuk po kërkon që qeveria të ndërtojë anije kozmike, as centrale bërthamore. Kërkesat e njerëzve vërtet janë minimale, si psh. të kenë rrymë. Por, edhe për mungesën e rrymës pushteti ka një shpjegim: rrymë ka, por problem është sistemi i shpërndarjes. Ose: sistemi i shpërndarjes po ngarkohet, për shkak të zhvillimit ekonomik.
Ky zhvillim ekonomik, që “ka shpërthyer” gjithandej, do të duhej të ndikonte në jetën e përditshme të qytetarëve. Të paktën të reflektohej në trenin që mërdhin. Pak ngrohje, dreqi e marrtë!