“Unë votoj, ti voton, Dejona vendos” – ironia e Driton Selmanajt me peshën vendimmarrëse të Mihajlit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka reaguar pas publikimit të disa mesazheve në mes të koordinatores së VV-së, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai tha se gjatë tërë kohës kanë dashur që të tregojnë se si VV-ja, funksionon si një sekt i mbyllur, si një grup parapolitik, ku ministrat i raportojnë Dejones dhe deputetët lexojnë fjalimet që ajo u shkruan.
“Shumë njerëz me të drejtë pyesin: pse opozita merret me Dejona Mihalin, një person pa asnjë votë dhe pa asnjë pozicion publik? Pikërisht për këtë arsye. Ne duam të tregojmë se si Lëvizja Vetëvendosje funksionon si një sekt i mbyllur, si një grup parapolitik, ku ministrat i raportojnë Dejones (madje ata vetë e kanë pranuar se “konsultohen” me të), dhe deputetët lexojnë fjalimet që ajo u shkruan. Tani është konfirmuar që edhe Drejtori i KEK-ut i raporton asaj. Ajo vendos kur të ndalet rryma dhe asnjë komunikatë e KEK nuk publikohet pa miratimin e saj”, ka thënë ai.
Selmanaj deklaroi se sa do vota të marrin deputetët, Mihali prapë pyetet në VV.
“Prandaj, tash gjatë fushatës kur të vijnë deputetët e VV-së me kërku votë për zgjedhjet e 9 Shkurtit me premtimin se do ta bëjmë këtë e do ta bëjmë atë. Ju lutem kërkoni që të vijë Dejona e të jap premtime, sepse veç ajo merr vendime. Si 3%, si 30% si 300%, hiç ska lidhje sa deputet e çfarë % Vetëvendosja do ti ketë, prapë Dejonen duhet me e vetë (pyet)”, ka thënë tutje ai.