Ulpiana e bën edhe më hallakamë procesin zgjedhor në FFK

Ulpiana e bën edhe më hallakamë procesin zgjedhor në FFK
Hallakama në procesin e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së dita-ditës po bëhet më e madhe.

Sikur nuk kanë mjaftuar polemikat e jashtëzakonshme të deritashme në mes të krahut të Agim Ademit dhe opozitës së tij.

Tani, “benzina mbi zjarrë” hidhet nga klubi i Superligës, Ulpiana.

Në mungesë të kryetarit, ky klub ka mbetur në duart e nënkryetarit, Bujar Shabani.

Bujar Shabani del të jetë një kundërshtar i Agim Ademit.

Ndërsa, delegatë të klubit në FFK deri më tani kanë figuruar emrat e Yll Jasharit, sekretar i klubit dhe Enver Duriqit.

Jashari thuhet se është mbështetës i kryetarit aktual të FFK-së.

Mirëpo, Bujar Shabani pretendon se Bordi i klubit e ka suspenduar nga të gjitha pozitat Yll Jasharin.

Andaj, sot gjatë ditës, klubi i Ulpianës ka provuar t’i ndërrojë delegatët në Lidhjen Rajonale të Prishtinës dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Por, thuhet se ata i kanë gjetur dyert e mbyllura.

Ndërsa, Yll Jashari vazhdon të menaxhojë me klubin duke e shpërfillur suspendimin, të cilin e përmend Bujar Shabani. “Gazeta Express” ka provuar të kontaktojë me të dyja palët, por pa sukses.

Por, në një dokument që e ka lëshuar Yll Jshari në emër të klubit thuhet se delegatët e caktuar qysh në fillim të sezonit nuk mund t’i ndrrëoj askush dhe ka kërkuar nga të gjitha palët të mos ndërhyjnë në politikat e Ulpianës.

Ndërkohë, FFK-ja ka reaguar përmes një komunikate duke kërkuar që të mos bëhen presione e shantazhe mbi delegatët, duke i ftuar këta të fundit që në raste të tilla t’u drejtohen policisë dhe prokurorisë.

Por, krahu i Bujar Shabani thotë se FFK-ja, përmes këtij reagimi doli në përkrahje të Jasharit.

Ata thonë se nënkryetari Shabani jep para në klub dhe është e drejt e tij të vendos se nga kush të përfaqësohet klubi në Kuvendin e FFK-së.

Edhe pse Shabani ishte i pa qasshëm në telefon, bashkëpunëtorët e tij thanë për “Express” se Jashari në mënyrë të paautorizuar po e përdor vulën dhe dokumentacionin e klubit për t’ia bërë “hyzmetin” Agim Ademit.

Ata kujtuan se sipas statutit, Bujar Shabani dhe Ulpiana kanë kohë së paku 20 ditë para mbajtjes së Kuvendit t’i paraqesin delegatët e klubit.

Por, thanë se FFK-ja ua ka mbyllur dyert për t’ua pamundësuar ndërrimin e delegatëve.

Shpërndaje në: