“Ulërima dhe fjalor i tmerrshëm”, banorja e zonës tregon në lot si u vra 14-vjeçari në Shqipëri
Kryeqyteti u trondit nga vrasja e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’. Euronews Albania ishte edhe sot pasdite pranë vendit të ngjarjes ku gazetarja Sara Demushi komunikoi jashtë kameras me banorë të zones të cilët shprehën shqetësimin e madh për sherret e vazhdueshme të adoleshentëve jashtë rrethimit të kësaj shkolle.
Një nga banoret tregoi momentet e tmerrit të sotëm kur filloi sherri ndërsa ajo ishte në ballkonin e apartamentit të saj.
“Po ziheshin me ulërima dhe fjalor të tmerrshëm dhe ndiqnin njëri-tjetrin me vrap. Zbrita për të parë çfarë bëhej. Njerëzit mundoheshin të lajmëronin policinë pasi djali ishte në tokë, një kalimtare e rastit mori njërin me makinë ndërsa tjetrin e çuan te ambulanca. Këtu ishte një kaos i tmerrshëm dhe në momentin që të parin e nisën për në spital këtu nuk kishte as polici as ambulancë. Zakonisht këtu vijnë grupe të mëdhaja 14-vjeçarësh që zihen me njeri-tjetrin.
Kujtojmë që sot 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar disa 14-vjeçarë, për pasojë ka mbetur i vrarë një prej të miturve.
Gjithashtu ajo që dihet është se shkolla 9-vjeçare kishte dhe një oficere të sigurisë, për të siguruar mbrojtjen e nxënësve dhe shmangien e një konflikti me fund tragjik si ky i sotmi.
Gjithashtu ky institucion, zhvillonte orë ndërgjegjësimi për nxënësit me temën “Të Drejtat dhe Mbrojtja e Fëmijëve”./euronews.al