Ulen tarifat për shërbimet konsullore në ambasada
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar të mërkurën se kanë ulur ndjeshëm tarifat për shërbimet konsullore në ambasadat e Kosovës, të cilat ka konsideruar se kanë qenë shumë të larta.
Sipas Gërvallës, Kosova është e përkushtuar që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve që marrin mërgimtarët në vendet ku punojnë.
“Kosova është e përkushtuar jo vetëm për të organizuar ambient sa më të favorshëm për qindra mërgimtare që vijnë për t’i kaluar pushimet në shtëpitë e veta në Kosovë, por edhe për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë në shërbimet konsullore të misioneve diplomatike. Kemi konstatuar se tarifat për shërbimet konsullore, shumica prej tyre, janë mjaft më të larta sesa shërbimet e njëjta që merren në Kosovë. Jam krenare të paraqesë për ju tarifa të reja konsullore e cila përbën jo vetëm ulje të dukshme, por mënjanon disa anomali të panevojshme, si pagesat e larta për dokumente e cila ndodhet brenda sistemit në të cilin shërbehen konsullatat tona”, ka thënë ajo në konferencë për shtyp të mërkurën.
Gërvalla u ka bërë thirrje mërgimtarëve, veçanërisht ata që janë në Gjermani, të kërkojnë rifitimin e shtetësisë së Kosovës. Për rifitimin e shtetësisë, sipas Gërvallës, aplikimi është falas dhe pa procedura të tejzgjatura.
“Në Gjermani, në të cilin jeton numri më i madh i mërgimtarëve tanë, ka hyrë në fuqi në fund të qershorit ligji për dyshtetësi. Është bërë urgjente jo vetëm ulja e tarifave për rifitimin e shtetësisë së Kosovës, por edhe të thjeshtëzimit të procedurave. Sa i vështirë dhe sa i dhimbshëm për ata mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës, që në mungesë të alternative, e kanë dorëzuar shtetësinë. Konsullatat tona iu presin krahëhapur për të aplikuar sa më shpejt dhe pa burokraci të penevojshme për rifitimin e shtetësisë”, ka deklaruar ministrja.
Mërgimtarët shërbehen me pasaporta, letërnjoftime, ceritifikata dhe shërbime të tjera në ambasadat e Kosovës.