Ukraina për herë të parë godet Rusinë me raketat britanike Storm Shadow
Ukraina ka shfrytëzuar për herë të parë raketat britanike Storm Shadow për të goditur brenda territorit rus, sipas një burimi të Sky News.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta lejuar Ukrainën të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS kundër Rusisë, një lëvizje që Uashingtoni e kishte shmangur për gati 33 muaj lufte.
Qeveria britanike është përballur me pyetje nëse do të ndjekë të njëjtën rrugë, por gjatë samitit të G20, kryeministri Sir Keir Starmer shmangu komentet mbi këtë çështje.
Ndërkohë, një zëdhënës i kryeministrit britanik deklaroi se zyra e tij nuk do të japë komente mbi raportimet apo çështjet operacionale.
Edhe pse Ukraina nuk ka konfirmuar përdorimin e raketave Storm Shadow në Rusi, raportime të shumta në mediat britanike sugjerojnë se ato janë përdorur. Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të lejuar përdorimin e raketave përtej kufijve të Ukrainës ishte i pritur, duke pasuar shembullin e SHBA-ve.
Ndryshe, Rusia ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Amerikës, duke ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore, një kërcënim i përsëritur gjatë fazave të ndryshme të luftës, kur aleatët e Ukrainës kanë rritur mbështetjen e tyre ushtarake.