Ukraina kap snajperisten serbe Danijela Lazoviq: Ishte endur edhe nëpër Kosovë
Ushtria e Ukrainës tha se e ka kapur snajperisten serbe, Danijela Lazoviq, e njohur me emrin e luftës Bagira. Siç shkruan gazeta kroate Dnevnik, serbja luftonte për Rusinë që nga viti 2014.
Në faqen e ushtrisë ukrainase në Facebook shkruhet se snajperistja serbe, Bagira ishte përgjegjëse për vrasjen e të paktën 40 personave.
Mediumi kroat “24sata.hr” raporton se snajperistja serbe u kap nga forcat ukrainase pasi u plagos. Sipas njoftimit të autoriteteve ukrainase, bashkëluftëtarët e lanë të plagosur në fushën e betejës.
Bashkë me publikimin e fotos së saj, autoritetet ukrainase kanë bashkangjitur edhe një librezë ushtarake të saj me emrin Irina Starikova dhe ku shkruhej se ajo ka lindur në Donetsk. Mediat ukrainase, duke iu referuar raportimeve të mëhershme të mediave serbe, bëjnë të ditur se bëhet fjalë për serben Danijela Lazoviq, përcjell Gazeta Express.
Bagira është një grua 32-vjeçare nga Gornji Milanovac. Ajo luante hendboll dhe para moshës madhore shkoi në një manastir. Ajo në atë kohë shkonte shpesh në Kosovë, por më vonë doli se arsyeja ishte pazari i drogës, gjë për të cilën e ka vuajtur dënimin me burgim, shkruan Dnevnik.
Autoritetet ukrainase po ashtu kanë deklaruar se snajperisten serbe në Ukrainë e ka sjellë Dejan Beriq, ushtari i njohur serb, i cili po ashtu lufton për Rusinë. Siç shkruan “24sata.hr”, Dejan Beriq mori pjesë në luftërat e Serbisë në Ballkan dhe se tani shërben si ndërlidhës për koordinimin mes njësiteve vullnetare pro-ruse në Ukrainë.
Serbja më herët ishte shfaqur edhe në intervista propagandistike në portalet ruse nën kontrollin e oligarkut Yevgeny Prigogine, i njohur ndryshe si “Kuzhinieri i Putinit”. Ajo besohet të jetë figura kryesore në operacionet kriminale të Kremlinit jashtë vendit, shkruajnë mediat kroate.
Një informacion për vdekjen e Bagiras në një konflikt me forcat e sigurisë ukrainase në afërsi të Gorolovka u publikua në qershor 2016, por rezultoi se ishte dezinformatë. Sipas informacioneve të mediave kroate, ajo prej disa vitesh jeton në Rusi.