Ukraina dhe SHBA takohen në Arabinë Saudite

Ukraina dhe SHBA takohen në Arabinë Saudite

Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë pritet të takohen në Arabinë Saudite për të diskutuar një armëpushim të pjesshëm të mundshëm midis Ukrainës dhe Rusisë, pjesë e një shtytjeje diplomatike nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.

Takimi do t’i paraprijë bisedimeve ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse të cilat janë planifikuar për të hënën.

Dhe pasojnë një seri bisedimesh të zhvilluara në Arabinë Saudite, fillimisht midis SHBA-së dhe Rusisë, dhe më pas midis SHBA-së dhe Ukrainës, kur Kievi pranoi një propozim armëpushimi 30-ditor.

Bëhet e ditur se delegacioni ukrainas në takimin e së dielës do të udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha më herët se ky fakt do ta lejonte Kievin të vepronte në një mënyrë “shumë të shpejtë dhe shumë thelbësore”.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas kanë thënë se ata ende e shohin takimin në Riad si thjesht teknik, transmeton Periskopi.

Heorhii Tykhyi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, tha se palët ukrainase dhe amerikane duhet “të sqarojnë modalitetet, nuancat e regjimeve të ndryshme të mundshme të armëpushimit, si t’i monitorojnë ato, si t’i kontrollojnë ato, në përgjithësi, çfarë përfshihet në fushëveprimin e tyre”.

Raportohet se të martën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin ra dakord me propozimin e Trumpit që Rusia dhe Ukraina të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës për 30 ditë dhe urdhëroi ushtrinë ruse t’i ndërpresë ato.

Por, pavarësisht gjithë aktivitetit diplomatik, Rusia dhe Ukraina kanë raportuar të dyja sulme të vazhdueshme, ndërsa forcat ruse gjithashtu kanë vazhduar të përparojnë ngadalë në Ukrainën lindore, një rajon që Moska pretendon se e ka aneksuar.

Shpërndaje në: