Ukraina, dhe mbi ndërhyrjen legjitime të Perëndimit në Kosovë

Ukraina, dhe mbi ndërhyrjen legjitime të Perëndimit në Kosovë

Shkruan:Qendrim Badalli

Në kuadër të zhvillimeve ndërkombëtare pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, edhe Kosova është lakuar në debatin politik dhe publik që po zhvillohet aktualisht në rrafshe ndërkombëtare. Kosova u përmend nga Putini dhe zyrtarët e tjerë rus në përpjekje që përmes krahasimit të justifikohet pushtimi ushtarak që po realizohet në Ukrainë. Kjo është e tëra, por krejtësisht e paqëndrueshme për disa arsye.

Së pari, dallimi mes luftës në Kosovë dhe asaj në Ukrainë qëndron në kontekstin historik të shteteve përkatëse. Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë kulturore dhe ideologjike e Jugosllavisë. Se ishte mirë apo keq,  përkohësisht është temë tjetër. Kosova nuk ka pasur asnjë lidhje historike me Jugosllavinë e as në veçanti me Serbinë në asnjë rrafsh të caktuar. Për dallim nga Kosova, Ukraina ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, të udhëhequr nga Kremlini. Përpos një përkatësie politike, Ukraina ka qenë pjesë e sistemit ideologjik, historik dhe kulturor të Rusisë.

Në fakt, edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina vazhdimisht ka qenë nën influencën ideologjike, kulturore dhe politike të Rusisë. Ukraina s’ka qenë dhe nuk është Europë. Kjo nuk e amniston pushtimin rus atje, në asnjë mënyrë.  As nuk duhet ta ndikojë solidarizimin me Ukrainën, sepse mbrojtja e jetës njerëzore është parimi që tejkalon rreshtime dhe konstelacionet gjeopolitike të popujve dhe shteteve. Mirëpo, në kuadër të këtij debati është e rëndësishme të thuhen faktet ashtu siç janë, dhe fakti është që Ukraina me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik ka bërë kthesë territoriale dhe administrative por jo edhe kulturore, ideologjike e deri diku as politike.

Në anën tjetër, Rusia s’mund të tërheq pararele mes ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë dhe pushtimit të Ukrainës nga ana e saj. Ndërhyrja e Perëndimit në Kosovë ka qenë për ta ndalur gjenocidin faktik të Serbisë ndaj një popullate etnikisht tjetër në të njejtin territor dhe e njejta është legjitimuar mbi bazën e Konventës Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Pra kemi gjenocid, etni tjetër në një territor, dhe Konventën Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Në rastin e fillimit të pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, nuk i kemi asnjë nga këto faktorët; Ukraina është shtet në vete dhe jo provincë ruse, nuk ka kryer gjenocid ndaj etnisë ruse në territorin e saj, dhe sulmi rus s’ka bazë mbi Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, përkundrazi është shkelje e pastërt e saj.

Kështu, kjo përpjekje e Rusisë nuk ka as bazë të argumentimit racional, as bazë juridike dhe as politike. Veç tjerash, përmendja e Kosovës edhe në rastin e aneksimit të Krimesë edhe në fillimin e pushtimit të Ukrainës, nga ana e despotit rus, Putin, na rikonifrmon edhe njëherë se Kosova ka qenë dhe vazhdon të mbetet para se gjithash një betejë gjeopolitike mes dy blloqeve në fjalë, por për dallim nga Ukraina, për arsyet e përmendura dhe jo vetëm, Kosova është e një interesi tjetër për Perëndimin.

Për më tepër, përmendja e Kosovës në këtë kontekst  shpreh edhe një problem shumë të madh të Rusisë në këtë agresion: Luftën pa ideologji. Mungesa e ideologjisë është një problem i jashtëzakonshëm në aspektin e legjitimimit politik në rrafshin e funksionimit gjeopolitik. Rusia ka kaluar në një luftë puro armësh meqë paraprakisht e kahmoti e ka humbur betejën ideologjike me Perëndimin. Kështu, meqë nuk ka asnjë ideologji prapa vetes, ata janë në kërkim të arsyejeve dhe precedentëve praktik për justifikimin e asaj që po bëjnë në Ukrainë. Në këtë linjë ka hyrë edhe përmendja e Kosovës.

E qartë se funksionimi realpolitik që njeh fuqinë para debatit racional apo konventave ndërkombëtare nuk preukupohet shumë se kush fiton debatin mbi legjitimitetin apo jo të ndërhyrjes ushtarake, mirëpo është e një rëndësie të veçantë për Perëndimin ta fitojë këtë debat, si në rastin e Kosovës ashtu edhe në rastin e Ukrainës, sepse aty qëndron dallimi i thellë mes Perëndimit dhe Rusisë, tek ndërhyrjet legjitime me bazë ideologjie, dallim ky i cili duhet të ruhet edhe në rrethana të përplasjeve historike.

Kosova nuk është Ukrainë. Dallimet janë tepër të mëdha. Por Kosova dhe Ukraina kanë një të përbashkët: Nga një armik hegjemonist në kufi që mirëmbajnë e jetësojnë idetë e së kaluarës së errët historike. Fillimisht ishte Kosova, duke luftuar për të drejtat e njeriut e çlirim etnik, sot është Ukraina duke luftuar për të drejtat e njeriut, sovranitet e integritet shtetëror. Në anën tjetër është Rusia dhe marioneta e saj për Ballkanin Perëndimor, Serbia, në përpjekjen e përbashkët për ta penguar e shembur paqen e stabilitetin si parakushte për konsolidim e zhvillim shtetesh.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist politik)

 

 

Shpërndaje në: