Uji që nuk u kthye në venë!
1. Palët janë pajtuar për tekstin kryesor por jo edhe për aneksin (planin e zbatimit) i cili, sipas Borrell, pritet të qartësohet në muajin vijues. Dilema këtu nuk është nëse asociacioni do të krijohet ose jo, por kur do të krijohet. Serbia e do si hap të parë dhe zhbllokues të hapave të tjerë, Kosova me gjasë po e kushtëzon me marrëveshjet e tjera dhe me korrjen e përfitimeve. Pak a shumë si parimi i qeverive paraprake: “nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka”.
2. Dokumenti është plot me dykuptimësi. Në hyrje të tekstit Kosova efektivisht e pranon një fusnotë të dytë apo edhe ia zgjat jetën fusnotës së parë, teksa flitet se palët e arrijnë marrëveshjen “pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të ndrshme të Palëve mbi çështje fundamentale, përfshi ato mbi statusin”. Pra Kosova pajtohet me idenë që Serbia të mos e njohë.
3. Disa pika të dokumentit i hapin shtigje Kosovës por nuk japin garanci dhe varen nga vullneti i shteteve mike për të na ndihmuar – pra kërkojnë proces paralel diskutimesh me ta. Serbia zotohet (Artikulli 4) se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Çështja është se asgjë nuk e pengon Rusinë dhe Kinën që ta kryejnë këtë punë për Serbinë në OKB dhe as 5 shtetet në Evropë për të vazhduar të na pengojnë në NATO dhe BE. Kosova vitin e fundit në vend se të investojë energji dipomatike te kjo çështje, vendosi të harxhojë kot mirëbesim dhe kreditë te shtetet mike me aventurat pa krye në veri.
4. Kur e lexon tekstin e marrëveshjes dhe e sheh ekzaltimin e militantëve për mospranimin e asociacionit nuk habitesh aspak se si njerëzit besojnë në mitologji fetare të tipit “Jezusi e ktheu ujin në venë!”. Marrëveshja thjesht rikonfirmon se Kosova i ka humbur tetë vite kot me çmenduri politike për t’u kthyer aty ka qenë. Te shishja e ujit. Venë ka vetëm në sytë e besimtarëve.