Udhëheqësi i tifozëve të PSG’së: I them Neymarit të largohet, le ta vazhdojë karrierën larg Parisit

Udhëheqësi i tifozëve të PSG’së: I them Neymarit të largohet, le ta vazhdojë karrierën larg Parisit

Tifozët e Paris Saint-Germain janë distancuar nga protestat që u zhvilluan të mërkurën në mbrëmje në shtëpinë e Neymar me ofendime ndaj lojtarit brazilian dhe kërkesa për t’u larguar. Disa orë më parë, tashmë kishte pasur një protestë të organizuar jashtë selisë së klubit, me ofendime për Lionel Messin.

Megjithatë, Romain Mabille, udhëheqësi i tifozëve të “Collectif Ultras Paris” (CUP), dënon atë që ndodhi në shtëpinë e Neymar – edhe pse ai nuk është kundër largimit të tij – dhe thotë, në një intervistë për gazetën Le Parisien, se grupi nuk është i lidhur me atë iniciativë.

“Unë nuk e mbështes atë që ndodhi, nuk ishte një veprim i CUP, grupi nuk e organizoi dhe më vjen keq që ndodhi. Kërkojmë nga të gjithë të mos përfshihen në akte dhune, duam të përcjellim mesazhe të vlefshme. Personalisht, më vjen keq që ndodhi dhe më vjen keq që njerëzit e mbajnë mend vetëm atë”, tha ai.

Për Mabile, fyerjet në derën e Neymar vijnë nga mërzia dhe lodhja e përgjithshme, një dëshirë për ndryshim nga ata që e shohin brazilianin si një simbol të mosfunksionimit brenda klubit.
“Mesazhi ynë shkon përtej kësaj. Messi po largohet dhe ju thjesht dëshironi t’ia bëni të qartë Neymarit se do të ishte mirë që edhe ai të largohej nga klubi. Ne nuk duam ta lëndojmë Neymarin, vetëm duam që ai të kalojë pjesën tjetër të karrierës së tij larg Parisit. Ne duam të kalojmë në një epokë tjetër. Ai është pjesë e një kulture ku lojtarët bëjnë atë që duan. Ne duam të ecim përpara dhe të shkruajmë një faqe të re me lojtarët që duan të jenë këtu”, përfundoi ai.

Shpërndaje në: