“Ua merrnin deri në 600 euro secilit” – Aktakuzë ndaj shtatë personave, ngarkohen për kontrabandim me migrantë

“Ua merrnin deri në 600 euro secilit” – Aktakuzë ndaj shtatë personave, ngarkohen për kontrabandim me migrantë

Shtatë persona do të përballem me akuzat për kontrabandim me migrantë, armëmbajtje pa leje e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Themelore në Prizren, e cila ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R.

Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës ata kanë kontrabanduar migrantë nga Shqipëria në Kosovë, e pastaj në Serbi.

Sipas Prokurorisë nga marsi i vitit 2023 ata kanë kaluar nëpër këto shtete 10 deri në 15 migrantë.

“Me këtë rast, për këtë periudhë kohore, për çdo ditë kontrabandojnë nga 10 deri 15 migrantë në ditë, e të cilët migrantë destinim të fundit i kishin shtetet e Bashkimit Evropian, ndërsa secili migrant për të kaluar nga territori i Shqipërisë deri në territorin e Serbisë, ka paguar nga 500 euro, e për transport brenda territorit të Republikës së Kosovës ka paguar nga 45 – 100 euro. Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur kanë kryer veprën penale ‘kontrabandimi me migrantë’ nga neni 164 par. 5 lidhur me nenin 31 dhe 77, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Veç kësaj, Prokuroria ka treguar edhe veprimet e të akuzuare tjerë.

“Ndërsa, të pandehurit A.H., M.H., H.A., O.A., dhe H.M., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri me datë 20.06.2023, merren me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që i pranojnë migrantët kryesisht arabë dhe të shteteve aziatike, nëpërmes rrugëve malore, i kalojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit i grumbullojnë në afërsi të xhamisë së fshatit Vërmicë, ose në afërsi të urës e cila gjendet në autostradë afër fshatit Vërmicë, ku i priste i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët me kombi dhe me vetura udhëtarësh, migrantët e kontrabanduar i transportojnë nga aty, nëpër territor të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Pastaj i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët i kishte siguruar ai, thuhet se i transportonin më tej deri në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjes, dhe “me ndihmën e kontrabandistëve e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, jashtë pikëkalimit kufitar në mënyrë të paligjshme, kundrejt një përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare”.

Me këto veprime, të pandehurit e lartpërmendur thuhet se kanë kryer veprën “kontrabandimi me migrantë” nga neni 164 par.1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

“Gjithashtu, të pandehurit S.G., A.H., H.A., dhe O.A., me datë 19.06.2023, në mesnatë, në Prishtinë, në katin e katërt të objektit banesor që gjendet në rrugën “S.M.”, kanë poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes, të njëjtëve u janë gjetur në posedim tri (3) armë zjarri dhe një numër i konsiderueshëm i fishekëve. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri O.A., thuhet se në banesën e lartëcekur në Prishtinë, shkakton rrezik të madh për jetën e personave që kanë qenë brenda banesës, e pikërisht për të pandehurit S.G., A.H., dhe H.A., në atë mënyrë që me pistoletë shtënë disa herë në drejtim të tokës (sheshit) të dhomës së kësaj banese, me ç’rast shkakton rrezik të madh për jetën e tyre. Me këto veprime, i njëjti thuhet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par.1, sipas KPRK-së.

Prokurori i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Shpërndaje në: