U raportua se u rrahën mes vete: Agim Ademi dhe Eroll Salihu shihen bashkë në takim
Një portal kosovar kishte raportuar pardje, më 27 shkurt, se kishte plasur grushti në Federatën e Futbollit të Kosovës mes kryetarit Agim Ademi dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihut. Por, dyshja që udhëheq FFK-në tash e një kohë të gjatë, është parë sërish së bashku.
Ademi dhe Salihu kishin lëshuar edhe një deklaratë të përbashkët, ku megjithëse përjashtonin mundësinë se ishin rrahur me njëri-tjetrin, nuk përjashtonin se kishte ndodhur fjalosje me tone të larta.
Dyshja karizmatike sot ka zhvilluar një takim me përzgjedhësin e kombëtares U-21, Michael Nees.
“Presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu i ofruan mbështetje maksimale përzgjedhësit Nees, që përkundër situatës së rëndë me pandeminë të realizohen këto miqësore dhe ai të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët që synon në grumbullimin e tij të parë si përzgjedhës i Kombëtares U21. Po ashtu, u diskutua edhe për stafin teknik të Kombëtares, i cili do të kompletohet gjatë ditëve në vazhdim.” – shkruan FFK, përcjell Periskopi.
Michael Nees është një trajner gjerman nga Karlsure që është emëruar selektor i U-21shes pikërisht në vitin 2021.
Më herët ai ka drejtuar edhe kombëtaren e Izraelit U-21, kombëtaren e Ruandës dhe Sejshelleve. /Periskopi