U paralajmërua vizitë e Grenellit në Kosovë: Çka e pret Kurtin nga emisari special i Presidentit Trump?

Kur jemi pothuajse në fund të numërimit të votave dhe pritet nga KQZ që të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, pyetja më e shpeshtë është “kush do ta formojë Qeverinë?”
Me interesim të madh, kjo pyetje po ndiqet edhe nga akterë të lartë të administratës së re amerikane. Ndër ta, hiç më pak se emisari Special i Presidentit Trump, Richard Grenell. Ky i fundit, siç u paralajmërua pritet të vijë në Kosovë…
Periskopi
“Qeveria e Kurtit nuk është partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara…“, kështu deklaroi i dërguari amerikan për misione të veçanta Richard Grenell, vetëm 6 ditë para datës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, tha Grenell sipas të cilit për shkak të qeverisë së tij, shumë kompani amerikane nuk po investojnë në Kosovë.
Ditë më pas, kryeministri Kurti u pyet nga gazetarët rreth asaj çka deklaroi Grenell.
“Kemi investimet më të mëdha amerikane”, u shpreh Kurti.
Edhe kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës solli reagimin e Grenell.
“Zhgënjyese. Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Anthony Blinken etj”, deklaroi Grenell.
Në fakt, kjo nuk është zanafilla e përplasjes mes Grenellit dhe Kurtit.
Në kohën kur Albin Kurti pritej të merrte detyrën si kryeministër i Kosovës (23 janar 2020), e ishte në negociata me LDK’në e Isa Mustafës për një koalicion të qeverisë – Richard Grenell u takua me të.
Ai në atë kohë pati vetëm një kërkesë të veçantë: heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.
Më 4 shkurt 2020, Albin Kurti mori zyrtarisht detyrën si kryeministër. Mospërputhjet me LDK’në ishin evidente qysh në fillim – ndër to, pikërisht edhe për tarifën 100% për produktet serbe.
Shkoi siç shkoi, përplasje pas përplasje… më 18 mars LDK-ja doli nga koalicioni dhe njoftoi për inicimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti.
Më 25 mars ra Qeveria…
Një ditë më vonë, Kurti do të reagonte për herë të parë pas rënies së Qeverisë së tij. Aty përmendi dhe akuzoi edhe ambasadorin Grenell.
“Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, tha Kurti.
Ndër të tjera Kurti shprehej se në takimet me Grenell nuk i kishte premtuar asnjëherë se do ta hiqte tarifën 100% pa reciprocitet.
Por kjo u mohua nga Grenell i cili tha se “ai [Kurti] më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën.
Administrata e re Trump, Kurti në rrezik?
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte dalë kundër presidentit aktual të SHBA’së, Donald Trump dhe kishte ftuar shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta votojnë Joe Biden për president në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës.
Ai përmes një video-mesazhi në Facebook, kishte thënë se një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.
Kurti kundër Trumpit: Thirrje shqiptarëve në SHBA që të votojnë për Joe Biden
Katër vite më vonë, Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Hiç pa shkuar larg, kujtojmë shkurtimisht se çka ndodhi në takimin mes Trump – Zelensku dhe Vance…
Një ndër përplasjet që do të mbetet në histori është e kësaj treshe për të cilën në njëfarë forme “ndryshoi rrjedhën e botës”.
Gjatë asaj përplasjes në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti amerikan, J.D Vance ia kujtoi Zelenskyt që kishte përkrahur demokratët në ShBA.
“A ke thënë faleminderit të paktën një herë gjatë këtij takimi. Shkove në Pennsylvania dhe bëre fushatë për opozitën në tetor”– i tha Vance – Zelenskyt.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, administrata Trump ka pasur raportet më të mira në kohën e kryeministrit Avdullah Hoti.
Një moment i rëndësishëm i ndërmjetësimit të administratës Trump, në marrëdhëniet Kosovë- Serbi ndodhi më 4 shtator 2020, kur kryeministri Avdullah Hoti u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Donal Trump për të nënshkruar Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndërmjetësimi i Trumpit i solli Kosovës edhe njohjen nga shteti i Izraelit.
Ndryshe nga kjo periudhë, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me Albin Kurtin ishin më të tensionuarat.
Se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit mbetet të shihet. Por, më e rëndësishmja – cila do të jetë qasja që do bëhet ndaj ndërkombëtarëve, e posaqërisht SHBA-së për t’i rikthyer marrëdhëniet aty ku i ka lënë ish-kryeministri Avdullah Hoti. /Periskopi/