U ngujua në shtegun e Via Ferrata-s në Deçan, shtetasja bullgare shpëtohet pas një operacioni 6 orësh
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka bërë të ditur se e kanë shpëtuar një shtetase bullgare e cila ishte ngujuar në një terren të vështirë në Deçan.
Në njoftim thuhet se në orët e vona të datës 12.10.2024, SHKSHMK ka pranuar një thirrje emergjente nga një shtetase bullgare në shtegun e Via Ferrata-s në Deçan.
“Ajo kishte përfunduar shtegun e Via Ferratas, por gjatë kthimit në llogaritje jo të mirë të kohës kishte dalë nga shtegu dhe kishte humbur orientimin duke u ngujuar në një terren të vështirë në anën e djathtë të Grykës së Deçanit. Një ekip i SHKSHMK i përbërë me anëtarë nga stacioni i Deçanit dhe Pejës menjëherë kanë identifikuar pozicionin e saj gjeografik dhe janë nisur për kërkimin e saj”, shkruhet në njoftim.
Asaj i është dhënë ndihma e parë dhe pastaj është evakuuar deri tek pikënisja e shtegut të Via Ferrata-s.
Mes tjerash, SHKSHMK ka njoftuar se operacioni ka zgjatur rreth 6 orë dhe ka përfunduar në orën 24:00.