U la jashtë listes për deputet, flet Agim Veliu: Mua s’kanë mund me më largu as plumbat nga LDK, e lëre më Lumir Abdixhiku

U la jashtë listes për deputet, flet Agim Veliu: Mua s’kanë mund me më largu as plumbat nga LDK, e lëre më Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar listën finale të kandidatëve për deputet nga radhët e LDK-së, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ajo që bie në sy është se Abdixhiku ka lënë jashtë liste deputetin aktual dhe ish-kryetarin e Komunës dhe të LDK-së në Podujevë, Agim Veliun.

Kjo ishte e pritshme për Agim Veliun.

Për Periskopin Agim Veliu ka thënë se po mundohen me eliminu politikisht, dhe sipas tij ky është projekt i vitit 2021 nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, që po e realizon Abdixhiku.

Ai madje thotë se nga LDK s’kanë mundur plumbat ta largojnë, e lëre më Abdixhiku.

“Kjo ka qenë e pritur, sepse ky projekt ka filluar në vitin 2021 me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, dhe këtë projekt po realizon Lumir Abdixhiku. Ka qenë e pritur duke i pasë parasysh edhe rrjedhat e mëparme që kanë ndodh, edhe zgjedhjet partiake që janë mbajt në degën e Podujevës, ka qenë proces tepër i ulët i lënduar, me emërime jo me zgjedhje, me selektime dhe domethënë ky veprim i sotit e ka një histori. Fatkeqësisht kjo po ndodh, por të shohim, sigurisht ata po mendojnë që Agim Veliun mund ta eliminojnë nga politika e nga LDK, por mua nuk kanë mundur me më largu as forcat tjera më herët nga LDK as plumbat, e lëre më Lumir Abdixhiku me shokët e vet, me kompaninë e vet”, u shpreh ai për Periskopin.

Veliu për Periskopin ka thënë se qëllimi i Abdixhikut është me shkatërru degën më të fuqishme në Kosovë, me Ekrem Hysenin sic e quan ai ‘vegël’.

Por ai shprehet i bindur se do ta rikthejë.

“Qëllimi i tyre është me shkatërru një degë me veglën Ekrem Hysenin, e që ka qenë dega më e fuqishme në Kosovë, mirëpo unë jam i bindur që dega atje ka fuqi edhe intelektuale edhe politike dhe sigurisht do të vijë dita që do ta rikthej namin që e ka pasë dikur si dega më e fuqishme në Kosovë”, u shpreh për Periskopin.

 

Shpërndaje në: