U godit nga orteku i borës, vdes garuesja e snowboardit
Garuesja e snowboardit, Sophie Hediger ka vdekur nga goditja prej një orteku të borës.
26-vjeçarja, e cila përfundoi dy herë në podium në Botërorin e kaluar, ka vdekur nga orteku në Arosa.
Lajmin tragjik e ka bërë të ditur Federata Skitare Zvicerane, një ditë pasi ajo ndërroi jetë, shkruan faqja zyrtare e Lojërave Olimpike, përcjell “Express”.
Drejtori ekzekutiv i Swiss-Ski Sport, Walter Reusser, tha: “Ne jemi të tronditur dhe mendimet tona janë me familjen e Sophie, së cilës i shprehim ngushëllimet tona më të thella.”
“Për familjen zvicerane të skive, vdekja tragjike e Sophie Hediger ka hedhur një hije të errët mbi festat e Krishtlindjeve.”
Hediger e kishte fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj “Lillehammer 2016” para se të garonte në gara individuale dhe të miksuara me ekipin e snowboardit në Olimpiadë Dimërore “Beijing 2022.”
Ajo kishte arritur sukses në Botërorin e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë në sezonin e kaluar, duke përfunduar në podium pasi e mori vendin e dytë në St. Moritz në janarin e kaluar.
Një javë më vonë ajo përfundoi në vendin e tretë në Gudauri, Gjeorgji.
Ylli në rritje ishte lindur dhe rritur në Horgen, afër Lake Zurich, por e kishte kaluar kohën më të madhe duke e shijuar sportin dimëror në Arosa, ku edhe e pësoi aksidentin fatal.