U dha premiera e dokumentarit ‘Një cicëron për historinë’ nga Saimir Kumbaro
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, xhamia e Et’hem Beut janë gjithashtu pjesë e këtij dokumentari.
Dokumentari “Një cicëron për historinë”, me skenar nga Rolnad Gjoza dhe regji nga Saimir Kumbaro u shfaq premierë në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Filmi dokumentar i ndarë në disa episode sjell në vëmendje jo vetëm Kinostudion, por dhe “Albafilm” apo çfarë ka mbetur sot. Nuk mungojnë pjesë të tjera të trashëgimisë sonë.
Por pjesë e dokumentarit me producent Paskal Semini janë edhe ajo që regjisori i quan si dëshmia e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “Filmi fillon që me historinë e pllakës që u hoq nga Kinostudio. Mesazhi i filmit, që ne nuk dimë të vlerësojmë dhe çmojmë vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. Te historia e Kinostudios unë godas lënien në mëshirë të fatit të rekuizitës që janë makinat, gardëroba. Për ta konkretizuar në hyrje të Kinostudios ishte një pllakë që dëshmonte, një dëshmi historike është hedhur nga Ministria e Kulturës”, tregon regjisori Saimir Kumbaro për filmin, që mbrëmë u prezantua premierë në akademinë “Marubi”, duke mbledhur në sallën e kinemasë figura të njohura të filmit shqiptar.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, xhamia e Et’hem Beut janë gjithashtu pjesë e këtij dokumentari. “Tek dëshmia e bulevardit, që fillon nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar te Universiteti jam marrë me zbulimin dhe gjetjen se ku ka përfunduar varri i ndërtuesit të Xhamisë Et’hem Beu. E trajtoj sepse dua ta gjej varrin për ta rikthyer si pjesë të trashëgimisë kulturore në vendin e vet”, tregon mes të tjerave regjisori. Për filmin “Një cicëron për historinë” regjisori Kumbaro ka shfrytëzuar dhe materiale nga arkivi i tij personal.
“Në të gjitha rastet për filmin përdoret material arkivor. Janë materiale nga arkivi im personal. Janë dokumente për Kinostudion, filmime, intervista, grupe filmash që janë xhiruar kur punonin, etj”, vijon regjisori Saimir Kumbaro.
Filmi “Një cicëron për historinë” është produksion i shtëpisë filmike “Albasky Film” dhe me financim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, shkruan SotNews. Në aktivitetin e tij me filmin, regjisori Saimir Kumbaro ndër vite jo vetëm me dokumentarin, por dhe filmin artistik ka marrë vlerësime./ KultPlus.com