U desh të hulumtonim si të çmendur për të krijuar listën me katër këngët që nuk janë bërllok
Pas listës me dhjetë këngët më të këqija të verës, e cila pati konkurrencë të madhe, ishte obligim moral dhe etik të krijonim një listë me këngët më të mira, të cilës ne thjesht i kemi vënë titullin ‘këngët që nuk janë bërllok’.
Ishte jashtëzakonisht sfiduese të krijonim diçka të tillë si kjo dhe jo me vullnetin më të madh të mundshëm, u detyruam të analizojmë në detaje projektet që nuk janë aq të këqija të kësaj vere, e cila vështirë se mund të parakalohet ndonjëherë më sa i përket këngëve të tmerrshme, shkruan Periskopi.
4. Arilena Ara ft Dafina Zeqiri – Thirr Policinë
Triumfi monumental i vullnetit dhe rinisë, kundër ‘pleqërisë’ dhe eksperiencës më poshtë.
Klikoni këtu të marrë raportin e detajizuar të këtij projekti.
Barrën kryesore të përfshirjes së kësaj kënge në këtë listë e bartë mbi supe Arilena. Vajza e trajton kamerën sikur të ishte pasqyra e banjos së vetë. Nuk kursen asgjë nga vetja për ta lënë nën hije bashkëpartneren e saj, të cilën për herë të parë e kemi parë të dominuar nga dikush tjetër.
Veshja nonshalante e saj, thjeshtësia e flokëve, grimi minimal dhe guximi për t’u shfrenuar në atë mënyrë para kamerave, e bëjnë Arilenën rast unik të dominimit të një artisteje në të njëjtin projekt me Dafina Zeqirin.
Teksti mediokër mbetet nën hijën e klipit absolutisht të tmerrshëm të kësaj këngeje. Oh Zot i madh… vetëm analizoni ambientet ku është xhiruar.
Dhoma apo korridori duket qartazi sikur të jetë e një hoteli ‘all inclusive’ të Antalias. Nuk ka asnjë skenë tjetër jashtë këtij ambienti, i cili është pa kurrfarë përmbajtje artistike. Për ta bërë edhe më të rëndë gjendjen, në momentet eksplozive të këngës përfshihen disa blicë dritash, të cilat mundohen ta bëjnë atmosferën më elektrizuese por që dështojnë mjerisht.
Hiq Arilenën, dhe fitoni klipin më të tmerrshëm të verës.
3. Mozzik x Loredana – Rosekrieg
Në rregull, nuk do të qëndroj ulur këtu duke shkruar këtë artikull dhe të pretendoj se e kuptoj për çfarë arsye kap kokën Loredana në fillim të kësaj kënge dhe fillon të qajë me frustrim.
Ndoshta, arsyeja e vetme pse kjo këngë nuk zë vendin e parë ka të bëjë me injorancën time personale, që nuk jam i familjarizuar me gjuhën gjermane.
Por, ndoshta po të dija përmbajtjen e tekstit të Loredanës, kjo këngë do të mund të përfshihej në listën tjetër, e dini për cilën listë e kam fjalën… atë të këngëve të tmerrshme.
Sidoqoftë, përmbajtja e vargjeve të Loredanës me një anë, mënyra si e ofron ajo për publikun pjesën e saj është impresive, të themi.
Më në fund një klip ku përfshihen edhe elemente të tjera dhe jo vetëm paraqitja seksi e artistit/es në secilën sekuencë të mundshme. E dini, tash e keni parasysh çka kërkojmë kur kritikojmë klipet pa shije të estradës kosovare. Mund të dukeni mirë dhe të njëjtën kohë të mos jeni në secilën skenë të mundshme e stër ngarkuar me elemente kukullash.
Nuk është asgjë që produksionet kosovare nuk mund ta bëjnë. Kamerat kualitative i posedojnë, financat poashtu… nëse marrim parasysh sa paguhet një artist kosovar për një natë dhe vetëm pak vullnet dhe ia dolët.
Janë edhe detajet tjera… shembull te ky klip i Loredanës me Mozzikun, teksa kënga është duke vazhduar, dëgjohen murmurima nga jashtë në përputhje me klipin e që është poashtu një element për të cilin nuk është se duhet të jeni ‘shkencëtar raketash’ për ta inkuadruar.
Diskrepancë e madhe e klipeve që i realizon Loredana në Gjermani, me ato që i realizojnë artistët tanë në Kosovë.
Pak fjalë i dëgjojmë në gjuhën shqipe te kjo këngë. Në fakt, vetëm Mozzik është ai që merr përgjegjësinë t’i gëzojë ca fansa shqiptarë me disa rreshta si ”nashta najherë e i*a, kom dalë me p*dha, amo u binda që s’bon”, e që janë ok, duke futur në ekuacion edhe të kaluarën e çiftit përtej muzikës.
2. Elvana Gjata – Loti
Krenaria e shqiptarëve të Shqipërisë ka zënë pozitën e dytë. Ngritje kapelash për Gjatën që refuzon të përfshihet në këngë të ngjashme me ato si ‘Dale’ dhe në fakt mundohet të krijojë gjëra më pak patetike.
‘Loti’ është në rregull. Jo për t’i shkulur flokët nga ngazëllimi rreth saj, por as për ta dëgjuar me neveri.
Fillimi të jep njëfarë ndjesie sikur diçka kualitative do të pasojë në minutat e ardhshme. Vargjet janë ok dhe për t’u vlerësuar elementet tjera inxhinierike që futen në miks, pas ‘lotët për ty uj,uj, uj, uj’.
Klipi ecën ngadalë, në harmoni me ndjesinë që të jep kënga, por dështon t’i ikë klishesë së paraqitjes së artistes në çdo skenë, në mënyrën më perfekte të mundshme. E dini, atë dëshpërimin dhe kompleksin që e ka çdo artist i estradës sonë që të duket e stër jashtëzakonshme, duke e menduar çdo detaj të mundshëm të dukjes dhe paraqitjes në secilën skenë të mundshme, duke vënë standarde jo reale bukurie. Është një trend të cilit as Elvana e askush tjetër nuk po mund t’i ikë, e që nënvizon qartazi nivelin edukativ të artistëve, të cilët duket se janë të bindur se neve na intereson vetëm pamja, dukjet seksi dhe veshjet që zbulojnë pjesët e trupit.
Është në rregull të mos dukeni gjithmonë perfekt, është në rregull të mos përdorni ‘make up’ profesional sa herë shfaqeni në publik dhe është shumë normale të mos shfaqeni në secilën skenë të mundshme të klipit. Është sikur artistët tanë e nënvlerësojnë fuqinë që kanë… ju vendosni trendet, ne vetëm i komentojmë, andaj arsyetimet e disave se ‘kështu e kërkon publiku’, janë thjesht banale dhe tregojnë shumë për nivelin e injorancës dhe edukimit artistik që kanë.
Oh edhe një gjë… te minuta 0:38 në videon e mëposhtme, më shumë lëvizje të tilla, të lutem…
1. Dafina Zeqiri – Pa ty
Vështirë të keni dëgjuar ndonjë fjalë apo frazë më shumë se ‘pa ty, pa ty’, sa herë keni ndezur ndonjë paisje elektronike për të shikuar e për të dëgjuar diçka.
Gjëja të fiksohet në kokë… sinqerisht, mund të jeni duke punuar, gatuar apo hedhur mbeturinat, ndërdija mund t’ua sjellë në mendje në mënyrë automatike. Sikur ta kemi borgj ta themi një herë në ditë të paktën, ose sikur… ta lëmë fare, mjaft më me tjerrje.
Cricket, Muma dhe Dafina Zeqiri meritojnë vendin e parë të top listës me pesë këngët që nuk janë ‘trash’.
Tingulli dhe mënyra si ofrohet kjo këngë në veshin e dëgjuesit është shumë mirë e menduar, gati sikur të jetë bërë me algoritma që të të futet në kokë.
Sidoqoftë, projekti ka qartazi pika të dobëta, teksa ngazëllimi rreth saj mund të jetë në dozë të tepërt, nëse i hedhim një sy objektive përmbajtjes.
Veç pjesës ‘pa ty, pa ty’, nuk ka momente të tjera monumentale. Ndoshta paksa edhe vargjet ‘the way you dance, hala n’mene e kom’, por përveç kësaj… asgjë tjetër.
Është sikur i mungon elementi kryesor përmbajtësor, që vërtetë të na japë atë ndjenjën e ‘zbraztisë’ së brendshme dhe ‘trishtimit’ momental, të cilën kënga qartazi e synon. Disa vargje të tjera me peshë më të madhe do ta bënin këtë këngë gati kredibile që të futej në top listën e këngëve më të mira të verës (nëse ekziston një e tillë), dhe jo thjesht në atë që nuk janë ‘bërllok’. /Periskopi.com