U akuzua brutalisht se infektoi Messin me koronavirus, reagon DJ i njohur
DJ argjentinas Fer Palacio i ka hedhur poshtë akuzat se ai e ka infektuar me koronavirus yllin e Paris Saint-Germain, Lionel Messi, pasi u cilësua si “vrasës” në rrjetet sociale.
PSG-ja njoftoi të dielën se Messi është njëri prej katër futbollistëve që dolën pozitivë në testet për Covid-19 gjatë pushimit të Krishtlindjes.
Messi është i detyruar të qëndrojë në vendlindjen e vet në Argjentinë, Rosario, derisa të shërohet plotësisht në virusi.
34-vjeçari mori pjesë në disa ahengje në Argjentinë gjatë festave të fundvitit, përfshirë në ahengun e natës së Vitit të Ri, ku ishte i pranishëm edhe Palacios për të performuar.
Palacio e postoi një fotografi me Messin në Instagram nga ahengu i javës së kaluar, me mbishkrimin: “E bëra më të madhin të vallëzojë. Faleminderit të gjithë familjes Messi për ftesën”.
Por 31-vjeçari është abuzuar online në rrjetet sociale, pas lajmit se Messi është infektuar me virus.
Palacio ka reaguar pas mesazheve abuzive, duke dëshmuar me video se ai vetë nuk është i prekur nga Covid-19.
“Jam bërë trend në Twitter sepse Messi doli pozitiv në testin për Covid-19. Ata e lidhin këtë me mua duke thënë se unë e kam infektuar atë. më kanë quajtur edhe vrasës madje”, tregoi ai.
“Kam marrë shumë mesazhe të këqija. Dje e bëra testin sepse më duhet të udhëtojë drejt Uruguait dhe dola negativ, nuk kam Covid-19”, shtoi ai.