Twitter do të lejojë që disa postime të bëhen me pagesë
Rrjeti social Twitter njoftoi se do t’iu mundësojë përdoruesve t’i bëjnë me pagesë postimet me përmbajtje ekskluzive.
Veçoria e re do të quhet Super Followers, apo Super Ndjekës.
Për të hyrë në përmbajtjen e caktuar, ndjekësit do të duhet të paguajnë një tarifë mujore.
“Super Followers do t’iu mundësojë krijuesve dhe botuesve të mbështeten drejtpërdrejt nga audienca e tyre dhe do t’i stimulojë ata të vazhdojnë të krijojnë përmbajtje që e do audienca e tyre”, tha Twitter përmes një deklarate.
Twitter ka qenë nën presion nga investitorët për të gjetur mënyra shtesë për të fituar para nga platforma, e cila ka disa qindra miliona përdorues në të gjithë botën.
Aksionet e Twitter-it kanë qenë ndër performuesit më të dobët të teknologjisë, gjatë shtatë vjetëve të fundit.
Veçoria e re vjen në kohën kur ndikuesit në internet kanë dalë në platforma të reja, si Patreon, Substack dhe OnlyFans, për të përfituar nga ndjekja e tyre.