Turqia në imagjinaren tonë
Në këtë rindezje imagjinate hynë edhe pala që riaktualizimin e Turqisë po e merr si zhvillim pozitiv, por edhe ata që e shohin totalisht negativisht, madje shqetësohen nga një zhvillim i tillë. Kësodore edhe ata që reagojnë pro edhe ata që janë kundër një Turqie të personifikuar kryesisht me presidentin Erdogan, në fakt gjallojnë në të njejtën llucë. Madje në vetë njësimin e Erdoganit me Turqinë vetëm sa ngjasojnë edhe më shumë mes vete (i dallon vetëm rezonanca e kundërt e qëndrimeve), por edhe me vetë shoqërinë e polarizuar turke .
Turqia aktive sot, përjetohet pra shumë më shumë në imagjinatë se sa arsye, meqë dekadat e shkeputjes se këtij vendi me Ballkanin e shekullit 20 dhe prezantimi i të kaluarës “turke” ndër sisteme të edukimit për këto 70 e ca vite, kanë bërë qe përjetimi politik/kulturor i këtij shteti sot, të mos jetë i natyrshëm, por si njëfarë lloj injektimi; njëfarë lloj peshe e rikthyer mbi supe; një resnetiman jo i vazhdueshëm por episodik dhe që rinisë pasi të kenë kaluar vite; përjetim disonancash të mëdha kognitive; me fjalë tjera është përjetim i moskuptimit, i ngarkuar me rrëfimtari dhe i identifikuar përmes kujtimeve (para)gjykimeve e pasigurisë orienteuse. Kjo për njërin tabor. Për taborin tjetër, Turqia po ofron ndjenjën e gjetjes së amësisë, amësi kjo e munguar për gati një shekull Serbi/Jugosllavi, e që nuk u gjet as pas çlirimit dhe lidhjeve me Shqipërinë për këto vite paslufte.
Ky shtet për disa shqiptarë po përmbush boshllëkun ideologjik dhe ontologjik që la monizmi, të 90-tat, dhe paslufta; njëfarë ngrehine që po shtëpizon edhe myslimanë me pikëpamje antivehabiste, edhe vehabistë që kanë hetuar defticitin e tyre në raport me traditën e interpretimit nativ të islamit, dhe tani përmes Turqisë po duan të rimishërohen me traditën… edhe student bursistë, edhe nevojtarë e fukarenj, por edhe grupe të krimit ekonomik/biznesor e politik.
Të qenit e Turqisë shtet me shumice myslimane, dhe disi vend akoma i përçarë ne synimet e saj integruese, ka ndikim të fortë po ashtu, dhe tek jo pak shqiptarë po ndjell rrezikun në mos (do të) jemi edhe ne një fotografi e vogël e shembullit të saj. Shqiptarët disi po ndihen si të shpulluar: në njërë anë kanë para vetes një rrugëtim të gjatë dhe oscilues për tu integruar në BE (e që këtu nënkuptohet edhe pranimi i grandnarrativëve kulturor e vleror evropian), ndërkaq në anë tjetër që prej serialeve turke e deri tek interneti apo kontakti direkt me turqit/Turqinë, po (ri)gjejnë veten në ngjashmëritë e habitshme tradicionale me turqit.
Turqia për ta s’ofron shembullin e puqitjes së kontradiktave Azi-Evropë, por përkundrazi është mishërim i negacionit të Evropës. Në anën tjetër ata që e ndjenjë veten më të familjarizuar me këtë shtet po përdorin relacionet komplekse të Turqisë me Perëndimin, si fakt justifikues se Turqia madje është shumë më para nesh në rrugën e saj evropiane. Natyrisht faktor këtu është edhe fakti i pasjes së shumë shqiptarëve lidhje familjare me shqiptarët në Turqi (pavarësisht se a janë ruajtur apo jo lidhjet), por edhe si në çdo relacion tjetër lidhjet krejt të ngushta, meskine e me bazë vetëm interesat e caktuara grupore (kryesisht politika dhe bizneset).
Zaten për sa i përket militantizmit politik, shpesh edhe afatshkurtër, ne shquhemi në asilloj prirjesh por në rastin e Turqisë mendojë se kemi të bëjmë edhe me impulse të ndrydhura që tashmë kanë shpërthyer, dhe që mbipeshojnë partizanllëqet tona ditore/militanteske. Është evidente se edhe në rast të mbetjes jashtë jetës politike të Erdoganit apo/edhe izolimit të Turqisë, fati i këtij vendi do të vazhdojë t’i preokupoj preokupojë interesimet tona.
Por duhet kuptuar një gjë që, grehina e shtet-kombeve ballkanike është postotomane, dhe investimet e pushteteve në farkëtime identitatare përgjatë shekullit 20 nuk është se kanë arritur në tërësi t’i topisin reliktet e mëparshme identitare. Bosna, Maqedonia, Sanxhaku janë shembuj konkret. Shqiptarët e Kosovës deri para 40 viteve kur filloi avazi i emrave shqiptar, mbanin diku 95% emra arabë e persë. Në qytete si Prizreni, Vushtrria, por edhe Prishtina e Gjilani turqishtja ka qenë lingua franca deri në vitet 60-70 dhe e rivalizonte denjësisht shqipen e serbishten. Së këndejmi fryma që indicon në një riafirmim të ndjenjave e prirjeve proturke, lidhet pikërisht me rivalitetin e agjitimeve identitare, qoftë reaksionare (të shkuara), qoftë progresive (afirmimit të mëtejmë me Turqinë). Fundja këto vlime identitare e gjejnë vetën të konfrontuara në kavanozin e “fshatit global” të globalizimit.. Sot, bjerrja e shtresës që plazmoi ideja kombëtare/nacionalizmi një-dy shekuj më parë në pothuajse mbarë globin është këtu faktori mbase vendimtar. Bjerrja e konceptit shtet-komb, nxjerr në pah partikaluzimat, akseleron identitete të reja, që s’mund tu caktohen korniza sipas kuteve a pakënaqësive tona.
Tek personifikimi i Turqisë me Erdoganin mendoj se kjo lidhet edhe me një prirje përgjithësisht ballkanike, por edhe më shumë se aq, tonën prirja e një kulture politike që individin respektivisht liderin ta kemi në qendër. Një popull pa traditë demokratike dhe i mësuar me pushtete sulltanësh, mbretërish, dikaktorësh ‘republikanë’ e autoritarësh të sotëm, patjetër që do ndjejë një apel shpirtëror që në vakuumin e përjetimit të liderit të munguar, apo/edhe në trupin politik e shoqëror të një vendi të zhgenjyer nga liderët e deritashëm ta ngulisë një emër të ri, e kësaj rradhe një tip si Erdogani që s’do mend se me energjinë, karizmin dhe stilin e tij populist vazhdon të tërheqë shumë shqiptarë, kryesisht myslimanë.
Autori është politikolog