“Turp; Kurti duhet të kërkojë falje”: Shpërthejnë reagimet për kurrikulën e edukimit seksual në shkolla
Tashmë çështja e kurrikulës së edukimit seksual është në qendër të vëmendjes. Në fakt, janë tri tekste të ndryshme për tri nivele të shkollimit që flasin për edukatën seksuale. Libri i parë është për klasët një deri në pesë, libri i dytë për nivelin nga klasat gjashtë deri në të nëntën dhe libri i tretë për klasët dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë. Në lidhje me përmbajtjen e këtyre teksteve ka pasur shumë kritika nga politikanë, gazetarë e analistë të ndryshëm.
I pari që foli për këtë temë ishte Eman Rrahmani, deputet nga Lista për Familjen, që kohë më parë e la Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ish dashtë ministrja Nagavci me tregu se çfarë ka ka bërë me kurrikulen për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në 12-të se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre seksuale në shtëpitë e tyre. Çka ju pengon familja? Për mu pak rëndësi ka ku shkon ky buxhet, ka rëndësia mbrojtja e fëmijëve” – ka thënë ai në seancën e Kuvendit ku po debatohet për projekbuxhetin për vitin 2025” – tha dje Rrahmani.
Ndërsa sot ka reaguar edhe deputetja e zëshme e LDK-së, Hykmete Bajrami. Në një reagim në Facebook, Bajrami e ka quajtur krejt këtë çështje si “skandal”.
“Arbërie Nagavci s’duhet të lejohet që të jetë pjesë e institucioneve, ajo duhet të shkoj në shtëpi. Kurti duhet me i kërku falje secilës familje në Kosovë që e ka dëgradu arsimin në këtë pikë. Ministrja e Arsmit dhe Kryeministri duhet të ndëshkohet me votë për këtë skandal” – ka shkruar Bajrami.
Ndërsa gazetari Berat Buzhala, në një video-editorial, tha se “është e pabesueshme” kjo kurrikulë, duke kujtuar premtimin e kryeministrit Albin Kurti për lejimin e shamive në shkolla.
“Interneti është mbushë me një temë të ndjeshme. Për këdo që ka fëmijë, për këdo që fëmijët i çon në shkollë publike e ato drejtohen prej Arbërie Nagavcit dhe Albin Kurtit. Është e pabesueshme. Është një kurrikulë që e ka marrë dhenë e unë do ta trajtoj pjesë-pjesë. A e mbani mend kur patën ardhë në pushtet duke thënë se nuk është e rëndësishme se çka ka mbi kokë vajza, po çka ka në kohë vajza. Patën thënë vajzat me shamia gjithqysh me qenë në shkollë” – tha Buzhala, ndër të tjera.
I ashpër në reagim ishte edhe gazetari dhe analisti, Lirim Mehmetaj, i cili kurrikulën e re e quajti si “turp kombëtar”.
“Në faqen 107 në lëndën “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues – Trupi im, ndjenjat dhe familja” qenka një aktivitet ku fëmijët dalin para klasës, përzgjedhin dikë në klasë që nuk e kanë shok apo shoqe, i mbyllin sytë dhe fillojnë t’ia fusin duart njëri tjetrit dhe më pas para klasës tregojnë çfarë kanë prekur dhe si janë ndjerë.
Meqë Nagavci nuk e ka pasur fatin ta ketë këtë lëndë në shkollë, e ftoj që të dal në Kuvend të Kosovës para deputetëve bashkë me kryeministrin, t’ia fusin duart njëri tjetrit me sy të mbyllur dhe më pas në foltore të na tregojnë se çfarë kanë prekur dhe si janë ndjerë” – shkroi Mehmetaj.