Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit hapet për qarkullimin e automjeteve

Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit u hap sot për qarkullimin e mjeteve. Ky investim ka shkurtuar ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Dibrës.
Në ceremoninë e hapjes ishte kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe banorë të zonës.
Balluku bëri të ditur se, “Tuneli i Murrizit 3.8 km i gjatë është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij. Nga ana ndërtimore, elektromekanike dhe gjithçka është funksionale. Janë bërë testet mbrëmë deri natën vonë, nga ana tjetër edhe trupa e policisë rrugore e ka marrë detyrën për monitorimin e rrugës”.
Tuneli i Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik.