Tucheli vlerëson kundërsulmet e Shqipërisë

Përzgjedhësi i ri i Anglisë, Thomas Tuchel, dëshiron që ekipi i tij të luajë me “uri për fitore” dhe të mos “frikësohet nga humbja”. Kështu është shprehur tekniku gjerman në konferencë për medie të enjten para ndeshjes kundër Shqipërisë, transmeton Periskopi.
Për Tuchelin, ndeshja në “Wembley” të Londrës ndaj Shqipërisë të premten, do të jetë debutuese në bankinën e Anglisë.
Ndeshja Anglia – Shqipëria i takon Grupit K kualifikues për Botërorin 2026 që në vitin e ardhshëm organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi nis në orën 20:45.
Tuchel, i cili drejtimin e Anglie e mori në fillim të këtij viti, ka vlerësuar kundërsulmet e Shqipërisë.
Tuchel zëvendësoi Gareth Southgate, i cili e udhëhoqi Anglinë drejt finaleve në “Euro 2020” dhe “Euro 2024”, ku humbën nga Italia dhe Spanja respektivisht. I ka udhëhequr “Tre Luanët” në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018, dhe në çerekfinale të Botërorit 2022.
51-vjeçari Tuchel, e udhëhoqi Chelsean drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2021, e fitoi dy herë kampionatin elitar të Francës gjatë dy vjetëve qëndrimi te PSG-ja dhe e ngriti lartë trofeun e Bundesligës me Bayernin.
Anglia synon trofeun e parë që nga 1966 kur e fitoi Kupën e Botës.
“Duam që të jemi të bashkuar dhe të kënaqemi me njëri-tjetrin. Duam që të gjithë të ndihen të sigurt ta shprehin atë që mendojnë dhe ta japin më të mirën”, ka thënë Tuchel.
Pas ndeshjes me Shqipërinë, Anglia të hënën ballafaqohet me Letoninë. Në këtë grup janë edhe Andorra e Serbia.