Tuchel i del në mbrojtje Sadio Manes, këto janë fjalët e trajnerit për sulmuesin senegalez
Thomas Tuchel e ka mbrojtur Sadio Manen pas veprimit të turpshëm që e bëri sulmuesi afrikan duke e goditur me grusht bashkëlojtarin e tij, Leroy Sane.
Në konferencë për shtyp para lojës me Hoffenheimin, trajneri gjerman është rikthyer të flasë për skandalin e ndodhur të martën mbrëma pas ndeshjes me Manchester Cityn.
“Nuk kam qenë prezent kur ka ndodhur sulmi sepse isha në sallën e trajnerëve. Kam biseduar me të gjithë ata që ishin të përfshirë dhe me ata që e kanë parë skenën. Ishte e rëndësishme të sqaroheshim dhe këtë e kemi bërë dje paradite. Fatkeqësisht, nuk jemi skuadra e parë që i ndodh kjo dhe me gjasë nuk do të jemi as të fundit”, deklaroi Tuchel.
“Unë e njoh Manen veç si një profesionist absolut i nivelit të lartë. Ai nuk ka bërë kurrë më parë ndonjë faj dhe e ka ende tërësisht besimin tim. Ka kërkuar falje në mënyrë totalisht të hapur, por ajo që e ka bërë është shumë, kundër kodit dhe rregullave të Bayern Munichut. Të gjithë bëjnë gabime, por ai mbetet pjesë e një modeli dhe një shembulli dhe unë jam i pari avokat mbrojtës i tij. Nuk ekziston asgjë perfekte”, vazhdoi ish-trajneri i Paris Saint-Germainit dhe i Chelseat.
“Natyrisht, është kaluar një limit, por kur ndodh, ndodh. Sidoqoftë, unë shpresoj që në fushën e blertë shpejt ta shohim Manen e vërtetë”, përfundoi Tuchel.