Trumpi s’heq dorë nga tarifat ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nga e marta do të vendosen tarifa ndaj Meksikës dhe Kanadasë, si dhe do të dyfishohet tarifa universale prej 10 për qind ndaj importeve prej Kinës, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social” të enjten, Trumpi ka thënë se narkotikët si fentanyli janë duke u kontrabanduar për në SHBA në “nivele të papranueshme” dhe se taksat në import do të detyronin vendet e tjera të luftojnë kontrabandimin.
“Nuk mund të lejojmë të vazhdojë të dëmtojë SHBA-në, dhe si pasojë, deri sa të ndalohet, apo të limitohet seriozisht, tarifat e propozuara të shtyra deri më 4 mars, gjithsesi, që do të hyjnë në efekt, siç janë planifikuar. Kina do të duhet të paguajë 10% tarifë shtesë nga ajo datë”, ka shkruar Trumpi.
Rreziku nga përshkallëzimi i tarifave e ka vënë ekonominë globale në pasiguri – me konsumatorët kanë shprehur frikë rreth përkeqësimit të inflacionit dhe sektori i veturave pritet të marrë goditjen më të madhe nëse vendosen tarifa ndaj dy partnerëve më të mëdhenj ekonomikë të SHBA-së.
Potenciali i rritjes së çmimeve dhe rritjes së vogël ekonomike mund ta godasë politikisht Trumpin, i cili u ka premtuar votueseve vitin e kaluar në zgjedhjet presidenciale se ai do të ulte inflacionin shpejt, i cili ishte rritur shumë gjatë mandatit të presidentit, Joe Biden. Por Trumpi ka premtuar edhe vendosjen e tarifave, të cilat planifikon t’i vendosë me 2 prill, duke rishikuar tarifat për t’i përshtatur me tarifat që vendet e tjera ua vendosin produkteve amerikane.
“Data e Tarifës së Dytë Reciproke të prillit do të mbetet në fuqi me efekt të plotë”, ka shtuar Trumpi në postimin e tij në median sociale.
Trumpi ka dhënë shenja se vendet evropiane do të përballen me tarifa 25%. Po ashtu ai dëshiron të vendosë tarifa të veçanta ndaj veturave, çipave të kompjuterëve dhe barnave që do të taksoheshin si shtesë e tarifave reciproke.
Presidenti veçse ka njoftuar se ai është duke larguar zbutjet në tarifat ndaj aluminit dhe çelikut. Kjo mund të çojë në konflikt tregtar që mund të shtyjë vendet e tjera të vendosin taksat ndaj importeve të SHBA-së në vendet e tyre si formë hakmarrjeje. Kjo veçse është duke ndikuar në konsumatorët nga SHBA-ja, duke minuar potencialisht premtimin e Trumpit për rritje ekonomike.
Tashmë ka rënë besimi i konsumatorëve. Sipas shifrave zyrtare, kjo rënie ishte rënia më e madhe që ka ndodhur brenda muajit që nga gushti i 2021-tës, që ishte gjatë kohës kur ekonomia po ringritej pas pandemisë së koronavirusit. Pritshmëritë për inflacionin mesatar 12-mujor janë rritur nga 5.2% në 6% gjatë shkurtit.
Trumpi kishte vendosur për tarifa ndaj Meksikës dhe Kanadasë e shtim të asaj ndaj Kinës më herët, por e pati shtyrë për 30 ditë.