Trumpi dëshiron që Egjipti dhe Jordania të marrin palestinezë nga Gaza
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se dëshiron që Egjipti dhe Jordania të marrin palestinezë nga Gaza, të cilën ai e përshkroi si një “vend shkatërrimi”.
Trumpi ka deklaruar se në një telefonatë që ka pasur këtë fundjave me mbretin e Jordanisë, Abdullah, i kishte thënë atij se do të donte që ata të merrnin më shumë palestinezë, sepse Rripi i Gazs është një rrëmujë, raporton BBC.
Trumpi po ashtu ka thënë se planifikonte t’i bënte një kërkesë të ngjashme presidentit të Egjiptit të dielën.
Lëvizja “mund të jetë e përkohshme” ose “mund të jetë afatgjatë”, sipas tij.
Hamasi është zotuar të kundërshtojë çdo veprim të tillë dhe komentet ka të ngjarë të zemërojnë palestinezët në Gaza, të cilët e shohin territorin si shtëpinë e tyre stërgjyshore.
“Populli ynë palestinez në Rripin e Gazës duroi vdekjen dhe shkatërrimin për 15 muaj, pa lënë vendin e tij. Prandaj, ata nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse duket se janë qëllime të mira nën titullin e rindërtimit, siç njoftoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump”, ka thënë për BBC, Bassem Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit.
“Populli ynë, ashtu siç ka prishur të gjitha planet për shpërngulje dhe një atdhe alternativ gjatë dekadave, gjithashtu do të pengojë projekte të tilla”, ka shtuar ai.
Shumica e dy milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur në 15 muajt e luftës me Izraelin, i cili ka rrafshuar pjesën më të madhe të infrastrukturës së Gazës.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar më parë se 60% e strukturave në të gjithë Gazën janë dëmtuar ose shkatërruar dhe mund të duhen dekada për t’u rindërtuar.
Trumpi nuk ka dhënë detaje të mëtejshme të propozimit.
Më shumë se dy milionë refugjatë palestinezë, shumica e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë, jetojnë në Jordani, sipas Kombeve të Bashkuara. Ata janë pasardhës të disa prej rreth 750,000 palestinezëve që u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në konfliktet rreth formimit të Izraelit.
Mijëra palestinezë kanë ikur në Egjipt që nga fillimi i luftës me Izraelin, por ata nuk njihen atje si refugjatë.
Në tetor 2023, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka thënë se ai kundërshton çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve në gadishullin Sinai dhe se zgjidhja e vetme është një shtet i pavarur për palestinezët.