Trump vendos tarifa, Kanadaja, Meksika dhe Kina zotohen për kundërmasa
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur tarifa prej 25 për qind në importet prej Kanadasë dhe Meksikës dhe 10 për qind në mallrat prej Kinës, nisur nga dita e martë.
Ai ka thënë se vendimi është marrë për të adresuar emergjencën kombëtare për shkak të fentanolit dhe mallrave tjera ilegale që po hyjnë në Shtetet e Bashkuara, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Importet e energjisë nga Kanadaja do të kenë vetëm 10 për qind taksë, mirëpo importet e energjisë prej Meksikës do të përballen me 25 për qind taksë, kanë thënë zyrtarët amerikanë për gazetarët.
Tarifa është taksë e brendshme e vendosur mbi mallrat kur ato hyjnë në një vend, në përpjesëtim me vlerën e importit. Ajo janë në qendër të vizionit ekonomik të Trumpit.
Ai i sheh si mënyrë për të rritur ekonominë amerikane, për t’i mbrojtur vendet e punës dhe për t’i rritur të hyrat nga taksat.
Trump ka shpallur emergjencë kombëtare nën Aktin Ndërkombëtar për Emergjenca Ekonomike, në mënyrë që të arsyetojë vendimin për tarifa, dhe të ketë më shumë kompetenca për ta adresuar krizën.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se askush nuk do të përjashtohet nga tarifat.
Trump ishte zotuar për vendosje tarifash edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka quajtur “shpifje” pretendimet se Qeveria meksikane ka aleanca me organizatat kriminale.
Megjithatë, ajo ka thënë se shteti i saj është i gatshëm të punojë me SHBA-në.
“Problemet nuk zgjidhen duke vendosur tarifa, por duke folur”, ka thënë ajo.
Ajo e ka udhëzuar ministrin e Ekonomisë që të përgjigjet me masa tarifore dhe jotarifore. Ky vend pritet të vendosë tarifa hakmarrëse prej 25 për qind në mallrat amerikane.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Truedeau ka thënë se edhe vendi i tij do të përgjigjet.
“Nuk duam të jemi në këtë pikë, nuk e kemi kërkuar këtë”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Qeveria e tij do të vendosë 25 për qind tarifa në mallrat amerikane në vlerë të 155 miliardë dollarëve.
Një pjesë e tarifave do të hyjnë në fuqi të martën, ndërsa pjesa tjera pas 21 ditësh.
Kryeministri kanadez ka hedhur poshtë sugjerimin se kufiri i përbashkët përbën shqetësim për sigurinë, duke thënë që më pak se 1 për qind e fentanolit hyn në SHBA përmes Kanadasë.
Me qëllim të shmangies së të gjitha tarifave, Otava është zotuar për ndarje të 1.3 miliard dollarëve për masa të reja të sigurisë në kufi me SHBA-në.
“Tarifat nuk janë mënyra më e mirë si mund të punojmë së bashku dhe të ruajmë jetë”, ka thënë Trudeau.
Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja kanë ekonomi të integruara thellësisht, me mallra në vlerë të 2 miliardë dollarëve që kalojnë nëpër kufij në baza ditore.
Kina ka thënë përmes një deklarate se është tejet e pakënaqur me masat dhe i kundërshton ashpër ato.
Tarifa prej 10 për qind do të jetë masë shtesë mbi tarifat që veçse i janë vendosur Kinës nga Trumpi në mandatin e parë, si dhe tjerat nga ish-presidenti Joe Biden.
Kina ka thënë se do të ngrejë padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër SHBA-së, dhe do të ndërmarrë kundërmasa për t’i ruajtur të drejtat dhe interesat e veta.
Kryeministri i Kinës, Ding Xuexiang ka thënë muajin e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës, se shteti i tij është duke kërkuar zgjidhje që përbën fitore për të dyja palët, dhe që dëshiron t’i zgjerojë importet.